Ai mbeti në komë pas një aksidenti me veturë

Loading...

Ai mbeti në komë pas një aksidenti me veturë

Njeriu që mbeti në komë pas një aksidenti me veturë në Kinën Lindore, u zgjua pas 12 vjetësh. Gjëja e parë që pa ishin lotët që rridhnin në fytyrën e nënës së tij 75-vjeçare, e cila qëndroi afër tij ditë e natë, për mbi një dekadë. Wang Shubaoi mbeti tetraplegjik (i paralizuar në katër gjymtyrët) pas një aksidenti që pësoi në vitin 2006,  në provincën Shandong.  Ai ishte 36-vjeçar.

Nëna e tij e dashur, Wei Mingying i qëndroi afër për 12 vjet. 75-vjeçarja shpenzoi të gjitha kursimet e saj në blerjen e barnave për djalin e saj dhe mori kredi në vlerë 13 mijë funta. Madje ajo iu tregoi reporterëve që për shkak të varfërisë për një muaj të tërë nuk ka ngrënë asgjë. Babai i Wang u largua kur ai ishte i ri, duke e lënë nënën e tij të vetmuar për përkujdesje, transmeton rtv21.tv

Wei e fillonte ditën në ora 5, e pastronte fytyrën e djalit të saj, e pastronte atë, e ushqente, kujdesej për nevojat e tij për tualet, i bënte masazh dhe ia pastronte plagët nga të ndenjurit në shtrat, duke u përkujdesur që ai të kthehej në jetë, por kurrë nuk u ankua. “Për një muaj nuk kam ngrënë asgjë, sepse ishim të varfër. Goja, gjuha më ishin tharë. Doja vetëm të pija ujë”, Wei i tha Beijing News. Nëna e pafuqishme humbi 20 kg me kalimin e viteve dhe tani peshon vetëm 30kg.

Mrekullia ndodhi muajin e kaluar kur ajo e zuri atë duke i buzëqeshur asaj, në shenjë që ai përfundimisht e rifitoi vetëdijën. Sipas raportimeve, përderisa Wang e kishte të pamundur të lëvizte ose të fliste, ai tani mund të dëgjojë të ëmën dhe të qesh si përgjigje. “Jam tejet e lumtur. Shpresoj se ai do të shërohet plotësisht. Kurrë s’do të heq dorë nga ai. Shpresoj se do të më thërras nënë përsëri”, tha ajo.

Storia e Wei preku zemrat e mijëra njerëzve në Kinë, përderisa disa nga ta po luten për nënën e dashur. “Nuk ka asgjë më të fuqishme sesa dashuria e nënës”, “Ky djalë është me fat”, “Po qaj”, “Vetëm nëna mund ta dojë fëmiun e vetë kaq shumë”, ishin vetëm disa nga komentet për këtë artikull./21Media