Fushata e suksesshme “Ta Pastrojmë Kosovën”, organizuar nga Let’s Do It Kosova po merret si model nga më shumë se 90 shtete të botës

Fushata e suksesshme “Ta Pastrojmë Kosovën”, organizuar nga Let’s Do It Kosova po merret si model nga më shumë se 90 shtete të botës

Në Akademinë e Liderëve, Let’s Do It World po merr Kosovën si shembull të mirë, që duhet ta ndjekin edhe shtetet tjera gjatë organizimit të fushatës për mbrojtje të mjedisit.

Në ‘Leaders Academy’ që po mbahet në Malajzi, drejtori ekzekutiv i ‘Let’s Do It Kosova’, Luan Hasanaj, është në mesin e 12 mentorëve që do të punojnë me përfaqësues të 90 shteteve, të cilave do t’ju ndihmojnë në organizimin e fushatës së suksesshme mjedisore, me theks të veçantë në organizimin e aktiviteteve për Ditën e Pastrimit të Botës më 15 shtator 2018, në të cilën do të përfshihen rreth 5 për qind e popullsisë së botës.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” e cila realizohet me plot sukses tash e 6 vite nga Let’s Do It Kosova, po merret si model posaçërisht për mënyrën e bërjes së fushatës vetëdijësuese dhe përfshirjen e akterëve e vullnetarëve të shumtë.

Let’s Do It Kosova shpreson që kjo fushatë e suksesshme që po merret si model nga shtete të ndryshme të botës, të merret më seriozisht edhe në Kosovë nga institucionet dhe akterët e tjerë, në mënyrë që çështjet e mjedisit të trajtohen më me prioritet.

Po ashtu, nga 15 deri më 17 shtator, Let’s Do It Kosova do të marrë pjesë edhe në punëtorinë për marketing e organizuar po ashtu nga Let  ’s Do It World, që do të mbahet në Tallin të Estonisë.

Në këtë punëtori, Kosova do të jetë në mesin e shteteve të pakta që të bëjë prezantimin e fushatës së suksesshme të realizuar për marketing dhe rritje të fondeve.

Let’s Do It Kosova ju njofton se së shpejti do të lansojë fushatën “Ta Pastrojmë Botën në një ditë”, e cila pritet të organizohet edhe në Kosovë, më 15 shtator 2018. Kujtojmë se Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” tash e 6 vite mbledh rreth vetes deri në 100 mijë vullnetarë në një ditë dhe njëherit është projekti i vetëm që ka treguar qëndrueshmëri në Kosovë.