Hapja e fushatës së PDK-së në Mitrovicë

Hapja e fushatës së PDK-së në Mitrovicë

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e fushatës zgjedhore në Mitrovicë, ka thënë se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë.

“Faleminderit shumë Mitrovica ime. Unë jam sot këtu në Mitrovicë në qytetin tim të dashur, në vatrën e atdhedashurisë në djepin e Isa Boletinit, në vendin që më frymëzojë dhe ku nisa rrugëtimin tim jetësor. Unë jam sot këtu në Mitrovicë si biri i juaj për ta nisur me këmbë të mbarë këtë rrugëtim të ri të Kosovës dhe për ta filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se ka zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellur mesazhin e Kosovës dhe PDK-së se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë.

“Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë. E Kosova dhe Mitrovica janë mirë, kur ky vend i bekuar nga Zoti, zhvillohet e ndërtohet më shumë dhe kur qytetarët tanë janë më të kënaqur me jetën e tyre dhe me shtetin e tyre”, ka thënë lideri i PDK-së.

Veselit ka thënë se më 6 tetor do të festojnë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Kësaj dite historike për Kosovën, kur qytetarët do t’i thonë PO vizionit tonë për ekonominë e dijes dhe inovacionit, do t’i thonë PO luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe kur do t’i thuhet PO partneritetit të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. PO, më 6 tetor do ta festojmë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Fitoren e Kosovës. Fitoren e të rinjve tanë të mrekullueshëm. Vajzave dhe djemve që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në shtetin që meritojnë. Fitoren e grave dhe burrave, nënave dhe baballarëve, nxënësve dhe studentëve, profesorëve dhe intelektualëve, minatorëve, fermerëve, ndërmarrësve, inovatorëve dhe punëtorëve të palodhshëm e të ndershëm. Sepse, ju e dini, kur fiton Partia Demokratike e Kosovës, fitojnë të gjithë. Fiton Kosova! E për të fituar Kosova, duhet të bëhemi bashkë”, ka thënë Veseli./21Media