Në fjalor janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë

Në fjalor janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë

“Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, i cili cilësohet të jetë projekti më i madh dhe i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është kritikuar nga gazetari Besnik Krasniqi.

Ai është ankuar se disa të dhënat të publikuara në biografinë e tij në këtë fjalor janë të pasakta. Edhe pse shpreh mburrje që biografia e tij është përfshirë në Fjalor, sipas Krasniqit, zhgënjyese është përmbajtja. Ai këtë e quan “Huqje kapitale!”.

“Është për mburrje kur sheh se biografia të është përfshirë në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, pra në projektin më kapital që e ka nxjerrë Akademia e Shkencave dhe e Arteve. Por, kur e lexon përmbajtjen, zhgënjimi ta mund këtë ndjenjë. Është përtej zhgënjimit kur e sheh që përmbajnë të dhëna të pavërteta dy nga dhjetë fjalitë, me të cilat të është përmbledhur biografia. Në të pestën shkruan se “punoi gazetar” në të përditshmen “Koha Ditore”. Pra, flitet në të shkuarën. Sikur, unë nuk punoj më në këtë gazetë. Përmbajtja e fjalisë së dhjetë, pra të fundit, është kjo: “Është gazetar-hulumtues në portalin ‘Insajderi’”. Krejtësisht e pavërtetë”, është shprehur gazetari Krasniqi.

Krasniqi ka kritikuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke theksuar se do të duhej që ajo të ishte më serioze dhe të mos linte pa përfshirë në fjalor emra të shquar të fushave të ndryshme dhe të mos bënte gabime siç është në rastin e tij.

“Këtë enciklopedi dyvëllimëshe, Akademia e proklamoi si projektin më kapital të saj. Është projekt në të cilin ka punuar prej vitesh dhe një punë serioze do të nënkuptonte që gjërat të shiheshin me llupë. Llupa nuk do të linte jashtë Enciklopedisë shumë personalitete që janë shquar në fushën e tyre shumë më shumë sesa disa që janë aty, e as nuk do të lejonte huqje në përmbajtje të biografive, sikur në rastin tim!”, ka shkruar më tutje Krasniqi në facebook.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës muajin e kaluar ka botuar “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, ky cilësohet të jetë projekti më i madh dhe i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

“Projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë. Në dy vëllime me 1,818 faqe, janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore. Botimi do të shpërndahet në të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, në biblioteka dhe redaksitë e mjeteve të informimit, në mënyrë që informacioni dhe të dhënat në përdorim për Kosovën dhe botën shqiptare të dalin më të plota dhe më të sakta”, pati shkruar akademik Muhamet Kraja./21Media