Hill: Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën

Diplomati amerikan Christopher Hill, i emëruar për ambasador të ri amerikan në Beograd, i bëri sot thirrje Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
Ai ka theksuar se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së, është mënyra më e mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga të dyja palët.
“Njohja e ndërsjellë është mënyra më e mirë për të ecur përpara,” tha Hill gjatë një seance dëgjimore para Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA.
Hill tha se prioritet i tij do të jetë kryerja e një hetimi të plotë për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Christopher Hill është emëruar në tetor të këtij viti për ambasador të ri të SHBA-së në Serbi. Hill, emërimi i të cilit duhet të konfirmohet nga Senati Amerikan, ka qenë më parë ambasador në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Poloni, Korenë Jugore dhe Irak.
Ai është njohës i mirë i çështjeve rajonale. Ishte anëtar i ekipit negociator amerikan gjatë bisedimeve të paqes në Dejton për t’i dhënë fund luftës në Bosnje më 1995. Më 1998 dhe 1999, Hill ishte gjithashtu i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Kosovën.
Hill do të zëvendësojë Anthony Godfrey, i cili ka shërbyer si ambasador në Serbi për dy vjet./kp

Back to top button