Sot në bibliotekën kombëtare "Pjetër Bodgani" u përkujtua veprimtaria e Adem Demaçit

Sot në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bodgani” u përkujtua veprimtaria e Adem Demaçit

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka mbajtur sot akademi letrare për Adem Demaçin, ku u tha se rruga e tij jetësore është dëshmi e qëndrimit të tij dinjitoz si një personalitet me përmasa ndërkombëtare.

Biblioteka kombëtare “Pjetër Bogdani” ishte vendi ku u takuan shkrimtarë dhe personalitete të shquara të Kosovës, për të kujtuar e nderuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Shyqeri Galica, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, hapi akademinë me një minutë heshtje për të vazhduar më pas me një jetëpërshkrim të shkurtër për veprimtarinë e çështjes kombëtare.

“Adem Demaçi është ndër figurat e rralla jo vetëm në arealin shqiptar por në tërë rruzullin, i cili me veprimtarinë e tij politike, atdhetare e letrare diti të udhëheq një epokë të tërë me veprimet e tij, duke synuar konkretisht atë që synonte tërë kombi ynë – lirinë dhe bashkimi e trojeve shqiptare. Rruga e tij jetësore është dëshmi e qëndrimit të tij dinjitoz për të qëndruar vertikalisht si personalitet me përmasa ndërkombëtare, që dëshmojnë çmimet më të larta që jepen për të nderuar figurat e tilla që vërtet janë pak në botë”, është shprehur Galica.

Më tej, kryetari i Lidhjes së Shkrimtareve i la vendin poezive dhe eseve të elaborojnë figurën e simbolit të rezistencës shqiptare, pasi që kjo akademi kishte edhe karakter garues, me ç‘rast u lexuan dhe u recituen mbi 30 ese e poezi që konkurruan për çmimin e punimit më të mirë.

Pas dëgjimit të 30 poezive që u lexuan nga vetë autorët, juria shpalli poezinë e Ibrahim Skënderit, të titulluar ‘Bacës’, si punimin më të mirë.

Fituesi u shpërblye me një komplet të veprave letrare të shkrimtarit Adem Demaçi.

Aktivitetin e ka nderuar me pjesëmarrjen e tij këngëtari Hysni Klinaku, i cili i këndoi një këngë kushtuar njeriut që kaloi rreth 28 vjet nëpër burgje për hir të kauzës kombëtare.