Gara e ngrënies së ëmbëlsirave fatale për një grua

Vdiq një grua në konkursin e ngrënies së ëmbëlsirave

Një grua ka vdekur në Australi ndërsa po merrte pjesë në një garë për të ngrënë sa më shumë “lamingtons”, një tortë tradicionale e mbuluar me çokollatë dhe kokos të bardhë.

Gruaja, në moshën 60 vjeçare, raportohet të ketë pasur një komplikim gjatë konkursit në një hotel në Hervey Bay, Queensland, për të shënuar Ditën e Australisë të dielën.

60 vjeçarja pas komplikimeve u dërgua në spital, por më vonë vdiq, transmeton 21Media.

Dëshmitarët thanë që gruaja kur ishte duke e ngrënë njërën nga ëmbëlsirat u duk se ishte në vështirësi.

Hoteli Beach House në Hervey Bay postoi një mesazh në “Facebook” duke shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e gruas, identiteti i të cilës nuk u bë i ditur.

Konkurset për të ngrënë janë një lojë popullore gjatë “Ditës së Australisë”, një festë kombëtare që shënon ardhjen e evropianëve të parë në Australi.

Garuesit zakonisht fitojnë çmime për të ngrënë sa më shumë ëmbëlsira, byrek ose ushqim tjetër në një kohë të kufizuar./21Media

Back to top button