Miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve e përshëndetën partitë politike shqiptare, por edhe LSDM

Miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve e përshëndetën partitë politike shqiptare, por edhe LSDM

E menjëherë pasi Xhaferi e firmosi ligjin për të publikuar në gazetën zyrtare, filluan garat për atë se kush ishin më meritorët për këtë arritje.

“Më në fund arritëm ta rrumbullakojmë pjesën normative të marrëveshjes së paqësore të Ohrit me miratim dhe me shpalljen e ligjit për përdorim gjuhëve. E arritëm barazinë gjuhësore në RM-së në përputhje me kushtetutën si dhe shtyllat dhe premtimet tona programore” ka thënë Artan Grubi BDI.

Nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zeqiri përmes rrjeteve sociale shkroi se Meritat për zyrtarizmin e gjuhës shqipe i takojnë qytetareve të vendit që përkrahën konceptin “Maqedonia, një shoqëri për të gjithë”

“Pothuajse një dekade në pushtet me VMRO DPMNE zëri nuk iu dëgjua. Sot, me gjithë atë pompozitet dhe lëvdata duan te stolisen me meritat e te tjerëve. Meritat për hapjen e dyerve te Maqedonisë për anëtarësim ne NATO dhe BE dhe zyrtarizmit të gjuhës shqipe i takojnë qytetareve të vendit qe përkrahen konceptin “Maqedonia një shoqëri për të gjithë”!!! Pa eufori, Јu lutem. Qytetaret me se miri dine të vlerësojnë se kush punon për të mirën e tyre” ka thënë Muhamed Zeqiri LSDM.

Nga Aleanca për shqiptarët thonë se duhet të jepet përgjegjësi pse ligji i gjuhëve një vit mbeti në sirtar.

“Mendoj se sot nuk është temë dhe nuk duhet të jetë temë shpallja e ligjit në Gazetën Zyrtare, por edhe temë dhe dilemë se cilat paskan qenë ato kushte të cilat u dashkan të plotësohen që një vit që Ligji të dalë në Gazetën Zyrtare. Është koha e përvetësimit të meritave, sepse qytetarët e kanë të qartë rolin e secilit në procesin e miratimit të Ligjit për Gjuhën Shqipe, por më shumë mendoj se është koha për të dhënë përgjegjësi dhe llogari gjatë ditës së sotme, se pse mbeti një vit në sirtarin e Kuvendit të Maqedonisë, ka thënë Syrija Rashiti – ASH.

Nga ana tjetër partia opozitare VMRO-DPMNE, kërcënoi drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se mund të dënohet me burg për “vepër penale”.
“Për shkak të seriozitetit dhe peshës së kësaj vepre për shkak të publikimit në Gazetën Zyrtare, paragrafi 5 nga neni 353 i Kodit Penal parashikon burg minimal prej pesë vitesh. VMRO DPMNE do të ngrejë padi penale kundër Talat Xhaferit, dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski, por ndaj të gjithë atyre që do të vërtetohet se e kanë shkelur ligjin gjatë publikimit të ligjit pa nënshkrimin e presidentit” tha Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i VMRO-së.

Ndryshe ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në Kuvend më 11 janar të viti të kaluar me 69 vota./21Media