Siljanovska ndjehet si fituese, duke i llogaritur edhe votat e Blerim Rekës

Siljanovska ndjehet si fituese, duke i llogaritur edhe votat e Blerim Rekës

Kandidatja për president, Gordana Siljanovska, rreshtin e parë e përfundoi me dallim minimal kundrejt kudërkandidatit të mbështetur nga pushteti, Stevo Pendarovski. Siljanovska në fund të ditës zgjedhore porositi se rezultatet kanë treguar se qytetarët duan profil të ri të një politikani. Ajo ndjehet si fituese, duke i llogaritur edhe votat e Blerim Rekës.

“E di që beteja është në vijim, por mendoj nëse ne morëm numër kaq të madh dhe nëse i shtojmë ato të z.Blerim Reka, si kandidat i pavarur i mbështetur nga dy parti, situata është e qartë. Të dy flasim për sundimin e së drejtës, për shtetin ligjor, për parandalimin e korrupsionit dhe krimit”, u shpreh Kandidatja për President. Gordana Siljanovska Davkova.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, gjatë fjalimit të tij shpalli fitore, por më së shumti u përqendrua për fitoren në Shkup. Bëri thirrje për përkrahje edhe në raundin e dytë, kurse kundërkandidatët i quajti “hotel koalicion”. Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve, dëshmojnë për “rënien” e LSDM-së dhe liderit Zoran Zaev.

“I fituam, por nuk i mposhtëm tërësisht. Prandaj, me rëndësi është rrethi i dytë dhe fitorja jonë në rrethin e dytë. Fituam në Shkup, i gjithë Shkupi sërish është qyteti fitimtar i VMRO-DPMNE-së”, theksoi Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ndryshe, Siljanovska, disavantazh më të madh, prej 6 mijë e 446 vota, kundrejt Pendarovskit, ka realizuar në komunën e Gazi Babës, kurse më të vogël në Bogovinë – 21 vota dhe Zhelinë me 15 vota./21Media