Sipas Gashit, angazhimi dhe suksesi i Lumit për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne nxitje dhe frymëzim

Sipas Gashit, angazhimi dhe suksesi i Lumit për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne nxitje dhe frymëzim

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i ka shprehur ngushëllime familjes Lumi për vdekjen e aktorit dhe regjisorit Bekim Lumi.

Në telegramin e ngushëllimit të ministrit Gashi shkruhet se bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar.

”Pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje të rëndë, bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar. Regjisori Bekim Lumi, i cili me shfaqjet e tij të shumta e që karakterizoheshin me aspektin minimalist dhe eksperimental, e ka përfaqësuar vendin tonë në shumë festivale teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, duke e prezantuar suksesshëm artin teatror ku u nderua edhe me çmime të shumta”, është shprehur Gashi.

Sipas ministrit, vdekja e Lumit është humbje e madhe.

“Skenës teatrore të vendit tonë do t’i mungojë zelli dhe kreativiteti i Bekimit dhe për kulturën shqiptare ndarja e parakohshme e tij nga jeta nga beteja me sëmundjen, është një humbje e madhe. Angazhimi dhe suksesi i tij për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne, shokët, kolegët dhe artdashësit duhet të jetë nxitje dhe frymëzim. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Bekim Lumit”, është shprehur më tutje Gashi.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, vdiq sot pas një sëmundjeje të rëndë. Artistët kishin organizuar mbrëmje humanitare artistike për të mbledhur fonde për regjisorin e mirënjohur dhe profesorin e Fakultetit të Arteve, Bekim Lumin./21Media