"Kemi qenë dhe do të jemi për vijimësi të shërbimeve"

“Kemi qenë dhe do të jemi për vijimësi të shërbimeve”

Klientët të cilët deri më tani kanë marrë shërbime nga Z-Mobile duhet të kenë vazhdimësi të shërbimeve, pas përfundimit të kontratës me Telekomin e Kosovës.

Kështu ka thënë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, i ftuar për intervistim sot në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Ai ka kërkuar nga anëtarët e komisionit të raportojë pa praninë e mediave, pasi sipas tij do të dëmtohet procesi, ani pse nuk ka diçka të fshehur. Pavarësisht kësaj,  një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga këta të fundit.

Gjatë intervistimit, kryetari i komisionit Visar Ymeri ka pyetur Gashin për hapat që do të ndërmerren nga ARKEP pas shkëputjes së kontratës.

Sipas Gashit, për 220 mijë klientët e Z-Mobile, pas kontratës së shkëputur duhet të ketë vijimësi të shërbimeve me operatorë të rrethit.

“ARKEP nuk ka mundësi të ndërhyjë paraprakisht, sepse do të krijonte një precedent dhe do të tregtonte në një formë, pasi do të ndikonte në vendimmarrje të kompanisë së Telekomit të Kosovës, gjë e cila do të mund të përdorej nga kompania tjetër… Kemi qenë dhe do të jemi për vijimësi të shërbimeve, për shkak se nuk mund të paragjykojmë situata të ndryshme, por vijimësia e shërbimeve do të jetë mundësi e mirë që klientët të mos mbesin pa shërbim. Duke pasur parasysh raportet aktuale, do të mundohemi të gjejmë shembuj të ndryshëm evropianë, në mënyrë që të ketë vijimësi të shërbimeve”, ka thënë ai.

Sa i përket kërkesës së Telekomit për kthimin e 300 mijë numrave që aktualisht posedon Z-Mobile, Gashi kërkoi të respektohet Ligji për komunikime elektronike, për çka sipas tij në këtë rast, është një situatë unike.

Ai, mes tjerash, ka thënë se është kohë fushate, duke aluduar se po bëhet fushatë për shpëtimin e Telekomit.

Derisa Gashi ka përsëritur që këto deklarime mund të ndikojnë në proces, sipas anëtarit të komisionit Armend Zemaj, ai mund të jetë i shantazhuar ‘nga dikush’. Por, një gjë të tillë ka mohuar Gashi, duke thënë se Telekomi nuk ka aplikuar ende për numra dhe se do të bëhet maksimumi që të respektohet Ligji për komunikime elektronike, teksa shtoi se nuk do të ketë zgjidhje magjike.

Deputeti Bekim Haxhiu ka kërkuar të di nëse zyrtarë të ARKEP-it i kanë familjarët e punësuar në Z-Mobile.

“Sa zyrtarë të ARKEP-it kanë familjarë të tyre të punësuar në Z-Mobile? Dhe a është e vërtetë që shefi i komunikimeve elektronike e ka të vëllain të punësuar në Z-Mobile”, tha Haxhiu.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, tha se nuk e di nëse ka konflikt të interesit dhe po ashtu nuk është në dijeni se sa zyrtarë punojnë në Z-Mobile, duke kërkuar që çështja të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu shprehu dyshimet se shefi i ARKEP-it po punon në favor të Z-Mobile, por kjo u mohua nga Gashi.