Gashi, milioneri i Amerikës

Shkëlzen Gashi, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, është në mesin e 20 lojtarëve më të paguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shkëlzen Gashi është mes lojtarëve më të paguar në kampionatin amerikan të futbollit, MLS, ku që prej vitit të kaluar aktivizohet me ekipin e Colorado Rapids.

Emri i Gashit figuron mes 20 milionerëve të këtij kampionati, ndonëse duhet theksuar se rroga e shqiptarit nuk arrin shifrat e emrave si Kaka, Sebastian Giovinco, Andrea Pirlo, David Villa apo Bastian Schweinsteiger.

Ish anëtari i Baselit ka rrogë prej 1 milion e 575 mijë dollarësh të garantuar në vit, që arrin deri në 1.668.750 dollarë në varësi të rezultateve dhe paraqitjeve.

Kurse, Jahmir Hyka përfiton shumë më pak te skuadra e San Jose Earthquakes. Ai përfiton 470.004 dollarë si rrogë të garantuar, me shifrën që arrin në 520.004 dollarë falë kompensimeve të ndryshme.

Kjo e bën mesfushorin shqiptar lojtarin e tretë më të paguar në klub, pas Chris Wondolowski dhe Simon Dawkins, të cilët përfitojnë nga 800 mijë dollarë në vit secili.

Back to top button