Deputetët kërkojnë që të publikohen pamjet e votimit

Deputetët kërkojnë që të publikohen pamjet e votimit

Deputetët Zijadin Sela dhe Afrim Gashi pohojnë se e kanë dhënë votën e tyre për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pavarësisht faktit se në listën parlamentare pas votimit janë regjistruar sikur të mos kishin votuar. Sipas Selës, nuk është rastësi që vetëm vota e tij dhe ajo e Gashit nga liderët e partive politike të bllokut shqiptar, nuk janë regjistruar.

“Kjo nuk është rastësi, por dikush ka manipuluar. Kjo nuk do të mbetet vetëm me konfirmimin e së vërtetës, duke thënë se unë personalisht dhe supozoj se edhe zotëri Gashi kemi votuar për ligjin. Këtu do të kërkohet edhe përgjegjësi. Nuk duhet lejuar të ndodhin gjëra të tilla”, tha Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarë.

Edhe Afrim Gashi nga Besa, pohon se ka votuar dhe se emri i tij nuk është regjistruar mes atyre që e kanë mbështetur ligjin, shkruan tv21.tv

“Unë dhe partia ime kemi qenë “për” ligjin, e kemi votuar në të gjitha fazat dhe u urojmë të gjithë qytetarëve të RM-së për këtë ligj, i cili vetëm e avancon përdorimin e gjuhës shqipe. Shpresojmë se së shpejti gjuha do të zyrtarizohet, por nuk do të doja që kjo të ndodhë në situata të tilla të tensionuara dhe nuk do të doja që kjo të shkaktojë pakënaqësi mes qytetarëve të Maqedonisë”, tha Gashi.

Sot, me reagim të ngjashëm doli edhe deputeti i pavarur i koalicionit qeveritar, Ferid Muhiq.

“Dje me bindje të plotë them se Ligji që u propozua është për të mirën e qytetarëve, të shtetit, të perspektivave tona dhe marrëdhënieve tona të brendshme dhe ndërkombëtare, e shtypa butonin, por nuk e di se si vota ime mbeti e paregjistruar” tha Muhiq.

Tre deputetët kërkojnë që të publikohet video-materiali nga votimi, për t’u vërtetuar se e kanë përkrahur Ligjin për gjuhët. Xhaferi në sqarimin e tij doli vetëm me supozim.  Ai tha se  e vetmja gjë që mund të kishte ndodhur, është të jetë shtypur butoni para kohe dhe kjo të mos ishte regjistruar si votim, pasi sipas tij kohëzgjatja e votimit është 10 sekonda.

Kryetari i Kuvendit e refuzoi kërkesën për votim individual për t’i sqaruar dilemat nëse Ligji për avancimin e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoni ishte miratuar me 64 vota, siç u kumtua zyrtarisht ose me përkrahjen më të madhe të deputetëve dhe nëse ka gjasa që problemi i ngjashëm të ketë ndodhur edhe gjatë votimit të ligjeve të tjera?