Geci: VV nuk ka të drejtë t’ia mohojë LDK-së propozimin për president

Reagon edhe Geci

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci ka treguar se cila nga dy partitë negociuese për krijimin e qeverisë së re ka të drejtë të propozojë krerët e institucioneve të vendit, përfshirë edhe atë të presidentit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës as pas 11 takimeve nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re të vendit.  Shkas për këtë është posti i presidentit, të cilin po e kërkojnë të dyja këto parti, duke kërcënuar madje edhe me shkuarje në zgjedhje të reja në rast se nuk gjendet gjuhë e përbashkët për arritjen e marrëveshjes.

Por, ish-deputeti i LDK-së u shpreh se është Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të kryeministrit, por që njëherësh ajo nuk mund t’i mohojë të drejtën LDK-së për propozimin lidhur me postin e presidentit.

Gani Geci ka postuar në Facebook edhe pjesë të nenit lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.

“VV-ja dhe vetëm VV- ja ka te drejt ta propozoj kryetarin e kuvendit, ky propozim nuk i takon LDK-së, sepse këtë ia garanton kushtetuta VV-së si parti e parë, ashtu edhe kryeministrin, por askush nuk mund t’ia mohojë LDK-së të drejtën për propozimin e presidentit. VV nëse dëshiron ta dërgojë në vend verdiktin e popullit, duhet të reflektojë.”, shkroi ai në Facebook.

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka porositur Lidhjen Demokratike të Kosovës se nuk mund të këmbëngulë për postin e të parit të vendit, pasi kjo parti nuk është fituese e zgjedhjeve dhe si e tillë po kërkon diçka që nuk i takon.

Po ashtu edhe Arbërie Nagavci nga kjo parti më herët ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në rast të dështimit të marrëveshjes për koalicion qeverisë me LDK-në, e cila po këmbëngulë që të marrë postin e presidentit.

Ndërkaq, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, ia ka bërë me dije Lëvizjes Vetëvendosje se nuk mund të dalë me kushtëzime sa i përket postit të presidentit, pasi kjo parti nuk ka fituar 51 për qind të votave.

Back to top button