Derisa vendet rajonit janë duke bërë gara për të tërhequr investimet e huaja, në Kosovë po ndodhë ikja e fuqisë punëtore

Derisa vendet rajonit janë duke bërë gara për të tërhequr investimet e huaja, në Kosovë po ndodhë ikja e fuqisë punëtore

Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka krijuar efekte negative ekonomike e po ashtu edhe një goditje të rëndë për bizneset.

Ky vakum institucional tash e gjatë muaj që nga dorëheqja e kryeministrit, Ramush Haradinaj, po i mundëson kësaj qeverie edhe shfrytëzimin e parasë publike në mënyrë jo të duhur.

Për pasojat e krizës politike, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se ky vakum institucional brenda këtyre 100 ditëve pas zgjedhjeve parlamentare, ka qenë një amnisti edhe për kabinetin qeveritar aktual.

Gërxhaliu në një intervistë për kp, thotë se mosarritja e koalicionit ndërmjet LVV dhe LDK, përveç dëmeve të mëdha që po i shkaktohen vendit, po i zgjatë “jetën” Qeverisë në dorëheqje dhe stafit politik për shfrytëzimin e parasë publike, si dhe është krijuar një situatë e pavolitshme për shoqërinë në vend.

“Ky vakum institucional brenda këtyre 100 ditëve pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, vërtet ka qenë një amnisti për kabinetin qeveritar aktual. Nuk mund të mbeten më këto përgjegjësi në qeverinë aktuale në dorëheqje, sepse ka qenë një qeveri në lëvizje, por në mungesë të koalicionit iu ka mundësuar që të vazhdoj aktivitetet e veta, të bëj pagesa dhe të ndaj grante për projekte të ndryshme, sepse po të kishim pasur institucione dhe qeveri të re, me siguri që përgjegjësia kishte me qenë e një forme më ndryshe se sa tani. Është e vërtet se qeverisë aktuale iu ka zgjatë ‘jeta’ në menaxhim të parëse publike. Se si është menaxhuar ajo, është çështje që duhet të debatohet”, thotë Gërxhaliu.

Ish-kryetari OEK thotë se derisa vendet rajonit janë duke bërë gara për të tërhequr investimet e huaja dhe brende ndërkombëtare, në Kosovë po ndodhë ikja e fuqisë punëtore dhe pasojat në rast të mosmiratimit të projektligjit-buxhetit në afatin e duhur janë të mëdha.

Gërxhaliu duke vlerësuar se brishtësia e funksionimit të shtetit është duke u zbehur, thotë se jo vetëm që nuk ka investime të huaja në Kosovë për shkak të klimës aktuale politike, por shpreh drojë që edhe bizneset vendore do të tentojnë të gjejnë alternativë për të investuar në vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Shumë kush kur dëshiron të gjej motiv për një situatë të tillë të hidhur të krijuar në Kosovë potencon që edhe Belgjika ka jetuar pa qeveri dhe vendet të ndryshme jetojnë pa qeveri, mirëpo, Kosova nuk e ka komoditetin qoftë ekonomik, qoftë politik apo strategjik (të vonoj formimin e qeverisë). Nuk e ka komoditetin edhe të disa vendeve të rajonit. Prandaj, sa më shpejt që të kemi institucione do të jetë një garancë për ardhmëri, sepse brishtësia e funksionimit të shtetit të Kosovës, është duke u zbehur”, deklaroi Gërxhaliu.

Duke folur për sektorin privat dhe ndikimet e ngërçit politik, Gërxhaliu pohon se partitë politike në vend duhet ta kuptojnë se mbi interesat e partive duhet të jetë interesat e shtetit, teksa thotë se ngufatja për sektorin privat, ndalimi i projekteve kapitale janë edhe një goditje e rëndë për sektorin privat dhe nuk do të ketë rritje shkallës së punësimit.

“Vet fakti që po hymë në vitin kalendarik pa buxhet 2020 dhe nuk kemi buxhet të miratuar, është dëmi i parë, kur dihet fare mirë që nuk dihet kurë do të kemi institucione… Në qoftë se nuk do të kemi miratim të buxhetit në parlament dhe në qeverinë e re, është e vërtet se Kosova ka presidencën dhe parlamentin, por nuk mjafton kjo që buxheti të jetë në funksion të zhvillimit. Në këtë drejtim, përveç që do të jenë të goditur punëtorët që janë në administratë publike, grushti më i madh do të jetë vërtet tek sektori privat”, thotë Gërxhaliu.

Kujtojmë, se është hera e tretë që vendi ka situatë të tillë me vonesa pas zgjedhore për konstituimin e qeverisë, që po e bënë të pamundshëm funksionimin e qeverisë dhe parlamentit.