Ai ka luajtur 1057 ndeshje të sezonave të rregullta

Ai ka luajtur 1057 ndeshje të sezonave të rregullta

Një tjetër legjendë e basketbollit në NBA, njofton largimin nga ky sport.

Manu Ginobili njoftoi tërheqjen nga basketbolli pas 23 viteve karrierë.

41-vjeçari argjentinas, i konsideruar gjerësisht si basketbollisti i huaj më i suksesshëm në historinë e NBA-së, është i vetmi lojtar joamerikan që ka fituar 4 kampionate dhe një medalje të artë olimpike.

Ai është shpallur gjithashtu lojtari më i mirë i “All Star Games” në vitet 2005 dhe 2011, ndërsa “Lojtari i 6 më i mirë i vitit” në 2008.

“Ishte një udhëtim i mrekullueshëm, – shkroi ai në Twitter. – Përtej edhe ëndrrave të mia më të çmendura”.

Ginobili e nisi karrierën si profesionist në vitin 1995 në Argjentinë, përpara se të zhvendosej në Itali.

Ai iu bashkua Spursave në sezonin 2002-2003, duke nisur kështu edhe aventurën amerikane e cila do t’i jepte atij kurorën e kampionit plot katër herë mes viteve 2003 dhe 2014, ndërkohë që ndihmoi Argjentinën të fitonte medaljen e artë olimpike në Athinë, në vitin 2004.

Ginobili ka luajtur 1057 ndeshje të sezoneve të rregullta, si dhe 218 ndeshje në play off me Spurs, duke u renditur kështu në pesëshen kryesore të të gjitha kohërave për ekipin nga Teksas, me 14043 pikë, 4001 asistime dhe 1392 topa të vjedhur.