Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 12 prill të vitit 2020

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 12 prill të vitit 2020

Ka më shumë se 5 muaj deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa disa parti politike që tani kanë nisur gjahun e tyre për vota përmes tubimeve partiake. Ato madje nuk pushuan as për vikend. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev në Strumicë para qytetarëve hodhi kritika ndaj oponentit të tij Hristijan Mickoski.

“E shoh oponentin tim Mickoskin, thotë se për të nuk ka problem nëse kryetari i parlamentit të jetë shqiptarë, por pse heshti më 27 prill, pse nuk ua tha më 27 prill atë qytetarëve të cilët hyrën në atje për të vrarë, për tu gjakosur, për t’i gjakosur duart e tyre, e që sot të jenë të mbyllur në burgje. Tani sipas tij mundet që kryetari të jetë shqiptarë”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër Mickoski ishte në Kumanovë. Ai nga atje tha se Maqedonisë nuk i duhen njerëz të cilët vazhdimisht gabojnë dhe pastaj dalin dhe kërkojnë falje.

“E shfrytëzoj këtë mundësi, ja nga këtu në Kumanovë, ta thërras Zoran Zaevin dhe qeverinë. Punën e parë që mund ta bëjnë është t’i kthejnë paratë e qytetarëve, të cilëve ua morën për shkak politikave të gabuara në 10 muajt e fundit. Kjo është më së paku që mund të bëjnë, t’i ktheni paratë që i morët. Edhe vetë thatë se nuk e ka dhënë efektin, ktheni menjëherë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në Kuvendin Zgjedhor të Tetovës për kryetar dege, tha se askush nuk mund të rrënoj kështjellën të cilën me vite e kanë ndërtuar.

“Bashkimi ynë, misioni ynë është i pavdekshëm, sepse ne jemi vet arkitektët që e kemi ndërtu, që e ndërtojmë dhe vetëm ne e dimë si e kemi ndërtuar kështjellën tonë të fort me themel prej çeliku dhe çdo kush që tenton të rrënojë këtë kështjellë që e kemi ndërtuar vetëm humbje do të pësoj përpara nesh dhe asnjë sukses s’do të mund të ketë”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ziadin Sela në forumin e të rinjve të ASH-së tha se duhet të luftohet koncepti i gabuar, që është ndërtuar ndër vite.

“Ne luftojmë konceptin që është ndërtuar ndër vite. Nuk mund të ketë gjuhë të parë dhe gjuhë të dytë zyrtare, sepse po të ketë të parë dhe të dytë, atëherë ka të parët qytetarë dhe të dytët qytetarë Aleanca për shqiptarët do të jetë fjala e cila do t’iu ngelë në fyt të gjithë armiqve të popullit shqiptar këtu në Maqedoninë e Veriut”, theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Ndryshe deri në zgjedhjet e caktuara të 12 prillit 2020 janë gjithsej edhe 160 ditë./21Media