Gjini ka shpalosur disa nga projektet infrastrukturore që prekin direkt jetën e gjakovarëve

Gjini ka shpalosur disa nga projektet infrastrukturore që prekin direkt jetën e gjakovarëve

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka deklaruar se më 20 qershor do të fillojnë punimet në kolektorin për ujëra të zeza, derisa theksoi se në përfundim është projekti për parkun e qytetit.

I pari i  Gjakovës në një intervistë për Kp ka thënë se këtij qyteti i kanë munguar idetë dhe projekte konkrete, pasiqë qeverisjet e kaluara më shumë janë fokusuar në riparim të gjendjes.

Me qëllim të përmirësimit të nivelit të arsimit në këtë qytet, Gjini ka thënë se kanë themeluar Këshillin Komunal për Arsim, i cili javën që vjen do mbajë takimin e parë konsultativ.

Përveç planeve në fushën e arsimit, me marrjen e mandatit si kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini është duke punuar që të përmirësohet edhe infrastruktura rrugore.

Gjatë kësaj interviste ka shpalosur disa nga projektet e tyre infrastrukturore që prekin direkt jetën e gjakovarëve.

“Projekte të mëdha infrastrukturore ka mjaftë, projekti i lumit Krena, i cili njëri ndër projektet të mija më të dashura fillon sivjet është kryer projekti besoj që një apo dy ditë edhe fillon prokurimi. Sivjet do të filloj të implementohet, do të zgjas tri vjet sepse është projekt i madh, mirëpo sivjet do të kryhet segmenti i parë, kjo është të paktën planifikimi. Rruga për në majë të kurorës besoj që për një ose dy dità «, kështu më është premtua prej kompanisë, do të kryhet projekti i plotë dhe pas projektit menjëherë do të gjejmë fonde çoftë komunale, çoftë të Qeverisë që edhe ai projekt të ecë, e njëjta gjë po ndodhë me parkun e madh të qytetit, është gati, me përfunduar projekti edhe menjëherë do të prokurohet edhe parku do të marrë pamje krejt tjetër, qyteti do të marrë pamje krejt tjetër,” ka thënë i pari i Gjakovës.

Sipas tij, përmes këtyre investimeve po mundohen që të krijojnë sa më shumë hapësira rekreative për qytetarët e Gjakovës.

Gjini po ashtu ka thënë se janë duke punuar që edhe skemat e mbështetjes sociale të jenë më produktive me qëllim që më shumë njerëz në nevojë të përfitojnë nga to.

Në aspektin kulturor i pari i Gjakovës ka thënë se janë duke i përkrahur klubet sportive, si dhe janë duke organizuar festivale, të cilat do e kthejnë gjallërinë në këtë qytet.