Parku kulturor "Ali Podrimaj" me aktivitete të shumta gjatë verës

Parku kulturor “Ali Podrimaj” me aktivitete të shumta gjatë verës

Projekti për krijimin e një parku kulturor në qytetin e Gjakovës, i cili do të mbante emrin e poetit të ndjerë “Ali Podrimja” është një projekt që ka për qëllim krijimin e një parku ku do të mund zhvilloheshin një seri aktivitetesh kulturore, aktivitet këto të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën kulturore të qytetarëve, shkruan rtv21.tv

Në emisionin Bon Bon në RTV21, ishte i ftuar udhëheqësi i këtij projekti, Arbër Lleshi, i cili tregoi se si do të duket ky park dhe sa kanë arritur të gjejnë përkrahje projektuesit e tij.

Lleshi ka treguar se Komuna e Gjakovës ka përkrahur këtë projekt vetëm për vitin 2017.

“Përkrahjen nga Komuna e Gjakovës e kemi vetëm për vitin 2017, pasi që është pilot projekt është normale, por fondet që ne po i kërkojmë i kemi në baza tre vjeçare pasi projekti është joprofitabil dhe është nën ombrellën e OJQ “Gjakova Basel”, ka thënë Lleshi.

Ai theksoi se çdo person i angazhuar në këtë projekt, kontribuon në mënyrë vullnetare për realizimin e tij.

“Fondet që do të hyjnë nga mënyra të ndryshme siç është biletat apo edhe nga një dyqan i vogël që do të gjendet brenda parkut, do të shfrytëzohen që në vitet në vazhdim parku të jetë i vetëfinancuar”, ka treguar Lleshi. Duke shtuar se disa fonde nga biletat e parkut, do të dhurohen në mënyrë transparente për projektet bamirëse të disa organizatave.

Sipas tij, qytetarët e Gjakovës e kanë mirëpritur këtë nismë, pasi në një sondazh të realizuar disa muaj më parë, projektuesit e parkut kanë arritur të grumbullojnë disa të holla nga ndihma e qytetarëve.

“Deri më parë sa e pash para se të hyja në emision ishin të mbledhura 2 mijë e 540 euro që i bie diku afër 25%  të fushatës. Ideja është që neve brenda pesëmbëdhjetë ditëve na duhet me i mbledhë 35% të shumës së përgjithshme që projekti jonë ta kalojë pragun e aplikimit dhe me pas mundësi që parku i kulturës “Ali Podrimaj” të realizohet”, ka përfunduar Lleshi.

Parku Kulturor “Ali Podrimja” parashihet të zhvillojë aktivitete gjatë muajve qershor-shtator, me lokacionin sheshin i cili gjendet në qendër të qytetit të Gjakovës afër Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” dhe Drejtorisë së Arsimit./21Media