Gjatë prokurimit publik t’i japet përparësi prodhimeve vendore

Klubi i Prodhuesve reagon ndaj skandalit të AQP-së

Edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe, Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreh reagimin ndaj të gjithë atyre institucioneve që nuk po i respektojnë vendimet e ekzekutivit të vendit.

“Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme që Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila ka bërë blerje në emër të agjencive të pavarura, ka hapur tender që të blejë produkte të cilat kanë origjinë nga Serbia. Klubi i Prodhuesve të Kosovës në vazhdimësi ka apeluar ndaj të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të përkrahin prodhimet vendore në të gjitha blerjet publike”, bëhet e ditur në komunikatën e Klubit të Prodhuesve.

Institucionet e Republikës së Kosovës, siç bën të ditur KPK duhet t’i japin përparësi prodhimeve vendore gjatë prokurimit publik dhe kërkojnë që të ndryshohet Ligji për Prokurimi Publik, sepse edhe në bazë të MSA-së lejohet që t’i jepet përparësi prodhimeve vendore.  Sipas KPK-së, kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve të regjionit dhe në vendet e BE-së.

“Ky veprim i Agjencisë Qendrore të Prokurimit e shpreh neglizhencën dhe injorancën që ky institucion ka ndaj prodhimeve vendore dhe përkrahjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Klubi i Prodhuesve shpreson që qeveria do të marr masat e duhura ndaj këtij veprimi dhe njëherazi kjo të jetë hera e fundit ku prodhimet e huaja të favorizohen dhe prodhimet vendore anashkalohen dhe dëmtohen”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e klubit të prodhuesve.

Më 19 janar është raportuar se Agjencia Qendrore e Prokurimit po kërkon të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që Qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia. Mirëpo, pas kësaj ka reaguar Drejtori i Drejtoratit për Prokurime të Veçanta, Mursel Racaj, i cili ka thënë se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka korigjuar me kohë dosjen e tenderit dhe asnjë artikull nuk i referohet produkteve të Serbisë./21Media

Back to top button