Trupi është gjetur të premten nga qytetarët

Trupi është gjetur të premten nga qytetarët

Trupi i pajetë i një personi, që dyshohet se i përket luftës së fundit në Kosovë, është gjetur i varrosur në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës. Trupi është gjetur të premten nga qytetarët, gjatë ceremonisë së varrimit të një banori në këto varreza.

Në lidhje me rastin është njoftuar policia, njësitet e së cilës kanë izoluar vendin dhe kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërsa pritet ekipi i mjekësisë ligjore dhe organet tjera të vazhdojnë të merren me këtë rast.

Kryetari i shoqatës “Zëri i prindërve”, njëherësh udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, ka bërë të ditur për KP se të premten gjatë një ceremonie të varrimit është hasur në një trup të pajetë që dyshohet të jetë nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas tij, shumë familjarë të të pagjeturve nga e premtja e kanë kontaktuar për të marrë informata rreth këtij rasti, por siç u shpreh ai, nuk ka qenë në gjendje t’iu japin asnjë përgjigje.

Ai ka hedhur akuza ndaj të gjithë atyre, të cilët gërmojnë dhe marrin trupa në rajonin e Mitrovicës, duke thënë se duhet ta informojnë së pari shoqatën ‘Zëri i prindërve’ dhe jo të punojnë fshehtë.

“Gjynahu më i madh është se familjarët më kanë pyetur mua, e unë s’kam ditur asnjë fjalë t’ua them. Është gjynah për të gjithë ata që kanë të pagjeturit, sepse kemi një shoqatë e cila kujdestaron çdo ditë prej ora 8:00 deri në 17:00. Gjithmonë hapur dhe mos me u gjet një njeri me tregu se çka ka ndodhur, përveç familjarëve. Është mëkat i madh, po na e shtojnë mërzinë dhe plagët të cilat janë shumë të rënda…Nuk e di pse është kjo neglizhencë, gjithmonë ka qenë kështu…Po i bëjnë disa gjëra fshehtë, pse i bëjnë ata e dinë…Më duket se po ju konvenon me marr mëditje, me dalë nëpër terren…Unë e kam fjalën për ata që marrin rroga, të cilët i paguan shteti, por edhe ndërkombëtarët që janë ndihmës të këtij procesi”, ka thënë Çerkini.