Gjenerali amerikan anulon vizitën në Kosovë për shkak të taksës

S’ka reagim nga Qeveria

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre (mund ta shihni më poshtë) se Qeveria amerikane ka marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në letrën e komandantit Rama, thuhet se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.

Lajmin për anulimin e vizitës së gjeneralit për shkak të taksës e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Vizita e gjeneralit amerikan ishte paraparë të realizohet nga data 16 deri më 18 shkurt, për të shënuar 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë prej 100 për qind në importet e këtyre dy shteteve.

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga qeveria e Kosovës./REL

Back to top button