Gjenerali i NATO-s jep detaje për bazën ajrore në Kuçovë

Wolters foli edhe për angazhimin e Shqipërisë në NATO

NATO nis investimin në bazën ajrore në Kuçovë. Për këtë Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, Gjenerali Tod Wolters, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Wolters u shpreh se është e vështirë të imagjinohet sesi ishte gati 10 vjet më parë kur në pranverën e 2009-ës, celebruan hyrjen e Shqipërisë në NATO, dhe sot celebrojmë nisjen e investimeve në bazën ajrore në Kuçovë. Ai tha se në muajt dhe vitet e ardhshme, do të vijojë investimi në bazën e Kuçovës.

“Në bazën ajrore të Kuçovës është bëri deri më tani një punë shumë e mirë, do të vazhdojë investimi, do të ketë edhe një ekip ajror që do t’i shtohet. Qëllimi ynë është vetëm të ecim përpara.” tha Wolters.

Wolters theksoi edhe angazhimin e Shqipërisë në misionet e NATO-s.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbulojnë një sipërfaqe që shtrihet nga Tirana në jug lindje në Afganistan dhe Mali deri në Verilindje në Letoni dhe më pas duke u kthyer në Kosovë dhe më pas rikthehen sërish këtu në kryeqytet në Tiranë. Paqja që ju shpërndani në këtë sipërfaqe të madhe territoriale është absolutisht e mrekullueshme për Aleancën dhe kontribuon për paqen dhe prosperitetin në rajon”, tha Wolters.

Duke folur për bazën e Kuçovës, ai theksoi se ajo përfaqëson mundësi të mëdha inovacioni, mundësi të mëdha përmirësimi të kontrollit të një hapësire sa më të madhe.

“Është një bazë që do ketë mundësinë të presë avionët luftarakë që kontrollojnë hapësirën.”, bëri të ditur Wolters.

I pyetur pse është zgjedhur Kuçova për këtë bazë ai tha se “Kuçova ka një karakteristikë unike. Është një fushë e pozicionuar në një vend gjeografik strategjik sa i takon vendit tuaj dhe Ballkanit Perëndimor. Është gjithashtu një vend me kushte atmosferike tmerrësisht të mira. Pra mundësia e ngritjes së avionëve luftarakë nëpërmjet Kuçovës është mjaft e mirë”.

Back to top button