Haradinaj priti në takim delegacionin gjerman

Haradinaj priti në takim delegacionin gjerman

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin gjerman të kryesuar nga zëvendës-presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend dhe rajon, si dhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.

Ndër temat e takimit ishte edhe liberalizimi i vizave, rruga euroatlantike e Kosovës, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, si dhe arritja e një marrëveshjeje finale, ndërmjet Republikës së Kosovë dhe Serbisë, ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i hapte perspektivë të dyja vendeve në rrugën e integrimeve evropiane.

Zëvendës-presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, është dëshmi e miqësisë dhe orientimit tonë për një partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë. Ardhja e tij në Kosovë, me një delegacion të përfaqësuesve politik të CDU-së nga Baden Wuerttemberg, ndërmarrës dhe ekspert nga arsimi, është dëshmi e përkushtimit tonë për të avancuar këtë partneritet”, tha Haradinaj, duke e falënderuar Wieland për mbështetjen e vendit në procesin e liberalizimit të vizave dhe duke kërkuar përkrahje edhe në këtë etapë të fundit drejt lëvizjes së lirë.

Kryeministri gjatë takimit theksoi se përvoja e këmbimit të nxënësve përmes Education Unlimited dhe programe të tjera të kësaj natyre, kanë sjellë një mundësi të mirë për nxënësit të avancojnë më shumë në shkollim dhe mundësi të tjera për të ardhmen akademike.

Sipas komunikatës, zëvendës-presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, dhe delegacioni gjerman vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve duke thënë se Gjermania do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës në aspektin ekonomik dhe perspektivën e saj euroatlantike./21Media