Polonia përkujton80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Polonia përkujton80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u kërkoi falje sot polakëve për mizoritë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë një fjalimi në Vilun, qyteti i parë polak i sulmuar nga Luftwaffe.

“Nderoj viktimat e sulmit në Vilun. Nderoj viktimat e tiranisë gjermane dhe kërkoj falje”, deklaroi Steinmeier në gjermanisht dhe polonisht.

Steinmeier, së bashku me një numër shefash shtetesh dhe qeverish, ndodhet në Poloni për përkujtimin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Polonia përkujton sot 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore që startoi me sulmin e forcave ajrore gjermane, Luftwaffe, kundër qytetit të Vilunit dhe bombardimin e Gadishullit të Westerplattes nga anija gjermane ”Schleswig-Holstein”.

Ceremonitë do të zhvillohen në Vilun, në gadishullin e sipërcituar, në Gdansk dhe Varshavë.

Ndërkohë, presidenti polak, Andrzej Duda dhe ai gjerman, Frank-Walter Steinmeier morën pjesë në ceremoninë në Vilun, që filloi në orën lokale 04:30.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do të merrte pjesë në këto ceremoni, e anuloi vizitën për shkak të uraganit ”Dorian” që pritet të godasë Floridan.

Në vend të tij do të jetë zëvendëspresidenti, Mike Pence.

Sipas historianëve, asnjë ushtar polak nuk ishte dislokuar në Vilun kur Luftwaffe sulmoi.

Polonia ka humbur gjashtë milionë persona gjatë Luftës së Dytë Botërore.