Gjermania kërkon nga Kosova dhe Serbia të kenë dialog konstruktiv

Pacolli dhe Mass takohen në Berlin

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij gjerman, Heiko Maas. Në këtë takim, Pacolli ka falënderuar Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme të këtij shteti për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka thënë se Berlini dëshiron që Kosova dhe Serbia të kenë një dialog konstruktiv. Sipas tij, dialogu ndërmjet autoriteteve serbe dhe të Kosovës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve janë parakushtet për Beogradin dhe Prishtinën që t’i afrohen Bashkimit Evropian.

“Ne duam një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve është një supozim kyç se diskutimi mbi afrimin e tyre drejt BE-së do të shkojë në drejtimin e duhur,”, ka porositur diplomati gjerman.

Sipas ministrit gjerman, Berlini mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, Maas i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës të bëjnë më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Back to top button