Gjermania ndihmon Kosovën me afër 13 milionë euro

Ndihma për Kosovën në vlerë prej 12 milionë e 950 mijë euro

Me afër 13 milionë euro ndihmë nga Gjermania, Kosova ka mundësi të riintegrojë të kthyerit nga migrimi, të zhvillojë projekte në arsim, rini dhe punësim, e që përkojnë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kështu u tha këtë paradite me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim teknik për vitin 2017 nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Chrisitian Heldt.

Ambasadori Heldt, tha se nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy shteteve, ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik.

Ai ka përmendur mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën, teksa ka theksuar se synojnë ta mbështesin në vazhdimësi në shumë aspekte, me theks të veçantë në fushën e arsimit.

Ndërsa përmes këtyre marrëveshjeve, sipas tij, do të rriten mundësitë për punësim.

“Për të përmendur qëllimin e marrëveshjeve të sotme, në vitin 2014 pati migrime të njerëzve për të gjetur një jetë më të mirë, dhe duke u nisur nga fakti se një pjesë e madhe e tyre nuk mund të qëndronin në Gjermani, ata patën probleme kur u rikthyen për shkak të raporteve të afërta të vendeve tona, Qeveria gjermane e ka parë të arsyeshme të ndihmojë Kosovën në procesin e riintegrimit të tyre. Në vitin 2016 filluam projektin për të ndihmuar të rikthyerit. Qëllimi ishte që atyre t’iu jepet një rast i ri pas rikthimit të tyre. Në këtë mënyrë do të rriten mundësitë për punësim. Pra qëllimi i Qeverisë të Gjermanisë është që të rritet zhvillimi ekonomik”, u shpreh Heldt.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se këto mjete janë një grant i dhuruar nga taksapaguesit gjermanë për Qeverinë e Kosovës, mjetet e të cilit do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme si në arsim, rini dhe punësim.

Ai theksoi se kjo marrëveshje e thekson edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në rrafshin financiar dhe teknik për Kosovën, si dhe në rrugën drejt integrimit sa më të shpejt në BE. Ndërsa ka falënderuar taksapaguesit gjermanë dhe shtetin gjerman për mbështetjen e dhënë.

“Sot ne po nënshkruajmë një marrëveshje shtesë për vitin 2017 me Qeverinë gjermane, në vlerë prej 12 milionë e 950 mijë euro, për mbështetjen e disa projekteve në fushën e bashkëpunimit teknik. Dëshiroj t’iu informojë se këto para janë grant, të cilat nuk kanë nevojë që t’i kthejnë qytetarët e Kosovës… Marrëveshja të cilën e nënshkruam sot do të përdoret për mbështetjen e projekteve si në vijim: arsimi, rinia dhe punësimi. Projekt i cili ka për synim të rrisë numrin e të punësuar dhe riintegrimin e të kthyerve. Gjithashtu me këtë projekt parashihet edhe hartimi i strategjisë të dhe planet e veprimit kombëtar për riintegrim”, tha ai.

Promovimi i zonave private, zhvillimi i kapaciteteve në arsimin fillorë në Kosovë, me fokus të veçantë zhvillimin e proceseve menaxhuese, sipas Hamzës do të jenë disa projekte të tjera të cilat do të realizohen në kuadër të kësaj marrëveshje.

Sipas tij, realizimi i këtyre projekteve ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit.

Back to top button