Gjermania e Kosova i bashkojnë forcat në shëndetësi

Gjermania e Kosova i bashkojnë forcat në shëndetësi

Kosova dhe Gjermania dje kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë do të orientohet në katër fusha kryesore.

Sipas një komunikate për media nga Ministria e Shëndetësisë (MSH), fusha e parë dhe kryesore e këtij bashkëpunimi do të jetë ndihma dhe asistimi në funksionalizimin e plotë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

“Kjo pritet të bëhet përmes shkëmbimit të ekspertizës, informacionit dhe përvojave në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Ndërkohë, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë edhe tri fushat e tjera të marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes kjo mund të arrihet përmes shkëmbimit të ekspertëve, delegacioneve dhe personelit shëndetësor në fushën e shëndetësisë me qëllim të realizimit të trajnimeve afatshkurtra si përmirësimi i aftësive profesionale dhe konsulencës.

Ndërkohë, sipas MSH-së mbështetja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet fondacioneve, institucioneve dhe organizatave përkatëse është një tjetër mënyrë që çon drejt implementimit të marrëveshjes./21Media