Sipas mediave gjermane

Sipas mediave gjermane

Qeveria e Gjermanisë është duke e shqyrtuar mundësinë që të vendos Turqinë në listën e shteteve, të cilat vlerësohen si shtete të rrezikut të lartë për agjentët e shërbimeve të inteligjencës, raportuan mediat gjermane.

Mediat gjermane përcollën deklaratën e një zëdhënësi të ministrisë së Brendshme, i cili tha se lista është duke u rishqyrtuar.

“Në kuadër të këtij procesi, ministria e Brendshme është duke e shqyrtuar mundësinë që në këtë listë të përfshihet edhe Turqia”, tha ky zëdhënës, ndërsa agjencitë e lajmeve vunë në pah se në këtë listë të Berlinit tashmë gjenden Kina, Rusia, Pakistani, Koreja e Veriut dhe 26 shtete tjera.

Disa shërbime gjermane të inteligjencës, të cilat e shohin Turqinë më pak si partnere, e më shumë si armike, kanë kërkuar zgjerimin e aktiviteteve vëzhguese të inteligjencës në lidhje me fushatën e Turqisë kundër Shtetit Islamik.

Disa prej këtyre shërbimeve ja kanë tërhequr vërejtjen punëtorëve të tyre në lidhje me rreziqet me të cilat mund të përballen gjatë udhëtimeve në Turqi dhe janë këshilluar të tjerët që mos të shkojnë për pushime atje.

Zyrtarët gjermanë janë të hidhëruar, për shkak se Turqia kohëve të fundit ka arrestuar me dhjetëra qytetarë gjermanë për arsye politike./21Media