Gjilani me plan operativ për ndalimin e taksive ilegal

Plani operativ do të filloj së implementuari nga nesër

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, përkatësisht Njësinë e Trafikut Rrugor kanë bërë planin operativ për ndalimin e operimit të taksive ilegal.

Kjo është bërë e ditur sot në takimin që nënkryetari Arbër Ismajli pati me komandantin e Stacionit Policor, Alban Ramushin, komandantin e Njësitit Regjional të Trafikut Rrugor, Ismajl Fejzullahun, drejtorët komunal, Naser Korçën, Nevzad Rushitin e Bekim Bajramin, sikurse edhe kryeshefin e ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve, Avni Hajrullahun.

Pas takimit, nënkryetari Ismajli ka konfirmuar se plani operativ do të fillojë së implementuari nga nesër, ndërkaq u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë me taksi ilegal për shkakun se në vazhdimësi inspektorët komunal, të asistuar nga policia do të kontrollojnë për leje të operimit dhe në momentin që hasin në taksi ilegal, detyrohen që të gjithë të zbresin kudo që ndalen.

Në takim është bërë e ditur se Komuna po punon në ndërtimin e vendkalimeve për autobusët dhe taksitë, ndërkaq u është bërë thirrje kompanive të transportit që të respektojnë oraret e nisjes, duke u peronizuar me kohë në Stacionin e Autobusëve.

Ndërsa, përfaqësuesit e policisë në Gjilan kanë shfaqur gatishmërinë e ofrimit të mbështetjes në çdo kohë për Komunën e Gjilanit, për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët./21Media​

Back to top button