U shënua 20 vjetori i rënies së heroit Yll Morina

U shënua 20 vjetori i rënies së heroit Yll Morina

Gjaku i heroit Yll Morina e ka shndërruar këtë ditë në festë, pasi gjaku i tij është bërë liri për Kosovën.

Kështu është thënë në shënimin e 20 vjetorit të rënies së heroit Yll Morina dhe shënimit të ditës së shkollës fillore që mban emrin e heroit.

Në shenjë respekti për sakrificën sublime dhe rënies në altarin e lirisë të heroit të Kosovës, dëshmorit të kombit Yll Morina, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nxënësve, personelit të shkollës që mban emrin e heroit u ka ndarë medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, dikur nxënës i shkollës “Yll Morina”, ka thënë se gjaku i heroit Yll Morina e ka bërë festë këtë ditë.

“20 vjet më parë e kemi pasur një ditë shumë të dhimbshme, një ditë të zorshme, jo vetëm pse kemi humbur Yllin, njërin prej luftëtareve më të mirë që e ka pasur Kosova. Por, edhe për shkak se gjithçka tjetër tek ne ka qenë e zymtë, ka qenë e errët. Sot ne po i themi festë dhe është festë e shkollës, është festë edhe e jona, gjaku i Yllit e ka bërë festë këtë ditë, këtë ditë që të gjithë ne e gëzojmë”, tha kryetari.

Edhe ministri i zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, 22 vite më herët ka qenë nxënës i kësaj shkolle. E sot ai u ka dhënë lajmin se do të nënshkruajë një marrëveshje me Komunën e Gjakovës për renovimin e shkollës.

“Marrëveshje për ta rregulluar objektin, pra shkollën “Yll Morina” për ta bërë eficiente. Pra, do ta transformojmë tërësisht shkollën dhe do ta bëjmë një shkollë më të përshtatshme për nxënësit, më të përshtatshme për mësuesit. Kam nderin që sot një kontribut modest, rreth 500 mijë euro që do të ndihmojnë shkollën që kjo shkollë të jetë edhe një hap më përpara shkollave tjera”, tha ai.

Të dy ish nxënësit e kësaj shkolle, po në ambiente të shkollës kanë nënshkruar marrëveshjen për renovimin e shkollës.

Në festimin e ditës së shkollës dhe 20 vjetorit të rënies së heroit Yll Morina ka marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili ka thënë se heroi Yll Morina ka qenë udhërrëfyes se si luftohet për atdheun.

“Jemi në një vatër arsimore që ka dhënë shumë jo vetëm për Gjakovën, por edhe për Kosovën. Nuk ka diçka më të shenjtë kur nga kjo vatër del një Yll, yll në të vërtetë me plot kuptimin e fjalës, yll i luftës, yll i sakrificës, yll apo udhërrëfyes se si luftohet për vendin”, tha ministri Lekaj.

Në anën tjetër, bashkëluftëtari i Yll Morinës, Shpend Lleshi, ka thënë se Ylli ka qenë gjithmonë ai që i ka motivuar në luftën për atdhe.

“Edhe pse ishte modest shumë në luftë, e meriton të jetë një hero i vërtetë dhe kjo shkollë ta ketë emrin e tij”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i shkollës “Yll Morina”, Berat Bejtullahu, u shpreh se rënia e Yllit dhe e dëshmorëve të tjerë kanë mundësuar që sot të jetojnë të lirë në Kosovë.

“20 vite më parë ne kemi humbur shumë, shumë dje e vajza e një ndër ta edhe Ylli jonë. Ata të gjithë ranë për të mos vdekur kurrë, e ne falë sakrificës së tyre jemi këtu ku jemi, lëvizim, jetojmë e frymojmë të lirë. Është koha që të ecim përpara në të gjitha aspektet, duke filluar nga arsimi, dhimbjen ta kthejmë në krenari e në vullnet për punë. Vetëm kështu do t’i bëjmë të pavdekshëm e t’i nderojmë ata që ranë për ne”, tha ai.