Rama me akuza të forta ndaj Metës

Rama me akuza të forta ndaj Metës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh i vendosur për të vazhduar me zgjedhjet lokale, pavarësisht vendimit të presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit.

Ai tha se në vend nuk ka shenja për një përplasje mes palëve duke sjellë një ’97 të dytë.

Për kryeministrin populli nuk është në protestë, por aty janë punonjësit e bashkive të drejtuara nga opozita.

“97 tjetër? Përse? Çfarë ka ndodhur që të kthehemi në të kaluarën. Cilat skema piramidale pa bien dhe gjaku i kujt po digjen që të digjet Shqipërinë sërish si në ’97. Në cilën depo amartimesh NATO do hapë dyert për të armatosur shqiptarët kundër njëri tjetrit. Cili është halli që nxjerr në sheshe bashkitë blu që nxjerr të rinj me maska që vijnë të ngarkuar dhe urinojnë në derën e kryeministrisë. Dua të bëj sa më të qartë se ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori”, tha Rama në Parlament.

Rama ka hedhur akuza të forta ndaj Metës.

“Iliri është mësuar keq, si s’ka më keq. Bëhet vend e pavend protagonist i një skene, ku nuk mjafton asnjëherë vendi që ka. Jo president i republikës, por mbret të shqiptarëve, madje mbret të gjithë trojeve shqiptarëve Meta nuk do ndihej mirë”, tha Rama.

Një akt brutal dhe i patolerueshëm, e ka quajtur kryeministri dekretin e Presidentit.

Meta kishte thënë se vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale e kishte marrë pasi ishte ndikuar nga informacione të besueshme se të shtunën e kaluar, protesta e opozitës mund të shfrytëzohej nga grupe të caktuar “për akte që rrezikonin një konflikt destabilizues me pasoja për jetën, dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend”.

Deputeti Ralf Gjoni, i dalë nga lista e LSI, tha se ka informacione se po përgatiten atentate ndaj politikanëve.

“Flitet që ditën e zgjedhjeve të ketë atentate. Janë ngritur celula me snajperë për atentate kundër politikanëve. Duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, tha Gjoni.

Zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, deklaroi në Kuvend se 30 qershori është rrugë e nisur kushtetutshmërisht dhe nuk ndalet. Sipas tij, akti i Metës për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve të dekretuar prej tij është krimi më i madh kushtetues.

“Pushtet sa të duash dhe me kë të duash pa zgjedhje nuk ka, nuk duhet të ketë dhe nuk do të ketë. E drejta për të zgjedhur me votë të zgjedhurit në kuvend, qeverisjen qendrore dhe qeverisjen vendore nuk mund të pezullohet, të shfuqizohet jo e jo nga askush pavarësisht ofiqit dhe madhësisë së zyrës që ka. Kjo është risia kushtetuese që kërciti pesë ditë më parë direkt nga selia e Presidentit të Republikës…Krim më të madh kushtetues se ky nuk ka, deformim më të rëndë demokracisë nuk ka tentuar t’i bëjë kush”, u shpreh ai.

Nga ana e saj, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, tha se organi i vetëm që mund të konstatojë shkeljen e Presidentit me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve është Gjykata Kushtetuese.

“Rezoluta nuk ka vlerë juridike, ngre presionin dhe shantazhon Presidentin. Gjykimin e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Mocioni i shkarkimit për presidentin vjen me 34 deputetë. Fakti që ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese është fatkeqësi e madhe. Prandaj shqiptarët po shohin një lojë të shpifur. Gjykata është organi i vetëm që konstaton këtë lloj shkelje”, tha Hajdari.

Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino e konsideroi antikushtetues vendimin e presidentit Meta. Sipas tij, Meta është duke mohuar të drejtën zgjedhore të shqiptarëve.

Ish-kryeministri akuzoi se akti i Metës është një kërcënim në emër të PD-së dhe LSI-së. Për deputetin e PS shkarkimi i presidentit është një kërkesë militantësh e cila atij nuk i duket zgjidhje./21Media