Si pasojë e të shtënave lëndime trupore kanë marrë dy kalimtarë të rastit

Si pasojë e të shtënave lëndime trupore kanë marrë dy kalimtarë të rastit

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar sot me gjithsej tetë vjet e gjashtë muaj heqje lirie tre të pandehurit G.H, RR.H dhe RR.H., për vepër penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Të pandehurit më 7.06.2017, rreth orës 15:05, në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre , si bashkë kryes, me dashje tentojnë t’i provojnë nga jeta të dëmtuarit N dhe B.K.

Ata me këtë rast kanë vënë në rrezik jetën e personave tjerë, B.R. dhe G.L., ku pas një fjalosjeje në mes të dëmtuarit B dhe të pandehurve për renovimin e lokalit të të pandehurit G, ky i fundit shkon te vetura, nxjerrë pushkën automatike dhe nga mesi i rrugës fillon të shtije në drejtim të të dëmtuarve N e B, duke zbrazur mbi 17 plumba.

Në të njëjtën kohë i pandehuri RR.H. që ishte ulur afër të dëmtuarve, në tavolinën tjetër, ngritet dhe nxjerrë nga brezi pistoletën duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit N gjithsej 4 herë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ndërkohë i pandehuri tjetër RR.H. shtie me pistoletë në drejtim të të dëmtuarit B, duke i shkaktuar plagë trupore. Pas kësaj, të pandehurit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi  i ngjarjes.

Të pandehurit G.H., gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e dy  muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë  qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila  pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit RR.H., gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e dy  muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë  qenë objekt i kryerjes së veprës penale e cila  pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit RR.H., gjykata i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet e dy  muaj, ku llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës që kanë  qenë objekt i kryerjes së veprës penale, e cila  pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet.

Të pandehurit obligohen veç e veç gjykatës t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 200 euro, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurorë juridike udhëzohen në kontest të rregullt  juridiko civil, teksa kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.