Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka fituar zgjedhjet e sotme presidenciale në vendin fqinj

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka fituar zgjedhjet e sotme presidenciale në vendin fqinj

Gjukanoviq, sipas rezultateve pothuajse përfundimtare, ka fituar me rreth 54 për qind të votave. Sipas Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMi), pas numërimit të 98 për qind të votave, Gjukanoviq ka fituar 53.9 për qind të votave.

Kandidati tjetë, Mlladen Bojaniq ka fituar 33.4 për qind, pastaj vijnë Draginja Vuksanoviq me 8.1 për qind, Marko Milaçiq me 2.9 për qind, Hazbija Kalaç me 0.9 për qind, dhe Vasilije Miliçkoviq me 0.5 e Dobrilo Dedeiq me 0.4 për qind.

Rivali i tij kryesor, Mlladen Bojaniq, i cili ishte kandidat i përbashkët i opozitës, siç transmeton televizioni publik malazez RTCG, pothuajse e ka pranuar fitoren e Gjukanoviqit në një paraqitje para mediave.

Ai ka thënë se nuk do ta urojë Gjukanoviqin për fitoren.

“Nuk do t’ia uroj fitoren sepse nuk kam për çka t’ia uroj”, tha Bojaniq, duke shtuar se “po të isha në vendin e Gjukanoviqit nuk do të isha i lumtur por do të isha i turpëruar për fitoret e tilla”, citon Kallxo.com

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme presidenciale kanë votuar afro 64 për qind e votuesve.

Presidenti zgjidhet për një mandat 5-vjeçar.

Në këtë post, Gjukanoviq e zëvendëson Filip Vujanoviqin, i cili ishte president për tre mandate.