Gjykata e Apelit konstaton shkelje në rastin e depërtimit të Arbër Zaimit

Sipas VV-së , Gjykata e Apelitka konstatuar disa shkelje në rastin e depërtimit të Arbër Zaimi

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës ka konstatuar disa shkelje në rastin e depërtimit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, duke e gjetur si të pabazuar vendimin e marrë nga Gjykata Themelore.

Komunikata e plotë e Vetëvendosjes:

Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës ka konstatuar disa shkelje në rastin e deportimit të aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Arbër Zaimi, duke e gjetur si të pabazuar vendimin e marrë nga Gjykata Themelore.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit janë radhitur një sërë shkeljesh esenciale në procedurë, por edhe paqartësi juridike dhe kundërthënie në formulime të pambështetura për këtë rast. Ia vlen të theksohet se në aktvendim shkruhet se me rastin e deportimit të Arbër Zaimit janë shkelur edhe parimet kushtetuese dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë edhe shkeljen për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe në kohë të arsyeshme.

Vendimi i Gjykatës së Apelit vërteton një fakt të rëndësishëm sa i takon gjithë procedurës së ndjekur, nga ajo administrative e deri në atë gjyqësore, neglizhencën e Gjykatës Themelore që vendimin e saj ta bazojë në të dhënat konkrete e të vërtetuara. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për të Huaj, i padituri në këtë rast, dekonspirohet meqë në vend se të ofronte siguri juridike në procedurë ankimore, ka mbuluar të metat e rastit. Komisioni Qeveritar, i themeluar nga vet Kryeministri, duke mos i paraqitur provat dhe duke mos e mbështetur vendimin e tyre me fakte konkrete në gjyq, vërteton haptazi se i gjithë rasti është i montuar politikisht nga Qeveria e Kosovës dhe instrumentet e saj.

Deportimi i aktivistëve Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Boiken Abazi ka qenë dhe vazhdon të jetë i kundërligjshëm, jashtë procedurës dhe tërësisht i motivuar politikisht, dhe kjo gjë ka qenë e qartë që prej fillimit. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit e ka kthyer rastin e Arbër Zaimit në rigjykim, duke vërtetuar edhe një herë se kemi të bëjmë me një përndjekje politike të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nga një qeveri autoritare e antikombëtare, që lufton me zell çdo shqiptar që ia rrezikon pushtetin,

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon me ngulm shfuqizimin e të gjitha masave penguese të marra nga kjo qeveri kundër aktivistëve Arbër Zaimi, Dejona Mehali dhe Boiken Abazi, si dhe ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë të Republikës së Shqipërisë që i janë bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në kundërshtimin ndaj regjimit që sundon në Kosovë.

Back to top button