Gjykata e Gjakovës ia konfirmon aktakuzën Pal Lekajt

Lekaj po akuzohet për keqpërdorim të pozitës

Gjykata e Gjakovës ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në kohën kur ishte kryetar i komunës së Gjakovës. Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave është refuzuar edhe ndaj të akuzuarit tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare Ismet Isufi, si dhe ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim lidhur me subvencione dhe veprës penale shmangie nga tatimi.

Në aktvendimin e gjyqtarit Shaqir Zika thuhet se kërkesa e avokatëve Arianit Koci, Haxhi Çekaj dhe Agim Muhaxhiri është refuzuar si e pabazuar, duke i cilësuar provat e aktakuzës të pranueshme dhe të qëndrueshme. Në anën tjetër, e njëjta gjykatë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.

Ndërkaq, kundër këtij vendimi të gjyqtarit Shaqir Zika, palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në Prill të vitit 2018, ku pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës. Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve. Ndërsa, Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangje nga tatimi.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Apelit, rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e kishte kthyer në rivendosje për të cilën vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Ndërsa sa i përket veprës tjetër të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare për të cilën edhe Gjykata e Gjakovës, e kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Apeli./kallxo.com

Back to top button