Gjykata në Prishtinë dënon me burg ish-anëtarin i ISIS-it

Misini kishte pranuar fajësinë

Gjykata në Prishtinë dënoi ish-anëtarin e ISIS-it, Agon Misinin, me 4 vjet burgim tri ditë pasi ky i fundit pranoi fajësinë në akuzën për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Me vendimin për dënim, Misinit iu vazhdua edhe masa e paraburgimit. Agon Misini më 29 nëntor kishte pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale kishte ngritur një aktakuzë ndaj një të rikthyeri nga Siria, i cili është riatdhesuar në Kosovë, e i cili pretendohet se luftoi përkrah organizatës terroriste ISIS. Sipas Prokurorisë Speciale i pandehuri Agon Misini në korrik të vitit 2015 me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të shkuarjes në Siri.

Në bazë të aktakuzës i pandehuri përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, dhe më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, ku nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Tutje aktakuza përshkruan se i pandehuri Agon Misini me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç‘rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Me këto veprime sipas Prokurorisë i pandehuri Agon Misini ka kryer veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist./kallxo.com

Back to top button