Aprovohet kërkesa e VV-së

Aprovohet kërkesa e VV-së

Gjykata e Prishtinës e ka pezulluar vendimin e bordit të ZRRE-së për rritjen e sasisë së energjisë solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me çmim të paracaktuar prej 85.5 euro. Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, më 24 dhjetor kishin dorëzuar padi ndaj vendimit të ZRRE-së.

VV ka thënë se më 14 janar janë njoftuar nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa e tyre për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

“Rikujtojmë se ky vendim u morë më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në atë mbledhje Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi si pikë të rendit të ditës aty për aty dhe pa arsyetim valid, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Të njëjtin vendim e patën marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MË dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas VV-së ai vendim nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private./21Media