“Gjykata Speciale nuk po na vjen qysh e kemi pritë”

Kreshnik Gashi tregon me shembuj dallimin mes Gjykatës Speciale dhe misioneve të cilat kanë qenë në Kosovë

Ftesat për intervistim drejtuar ish pjesëtarëve e UÇK-së nga Prokuroria Speciale në Hagë ishin temë e diskutimit gjatë emisionit debatues “Click” në RTV 21.

Kreshnik Gashi nga BIRN bëri dallimin ndërmjet Gjykatës Speciale dhe misioneve të cilat kanë qenë në Kosovë si EULEX, UNMIK e Tribunalit të Hagës.

“Në të kaluarën kemi parë aksione të policsë të mëdha të cilat i kanë paraprirë proceseve, krejt opinioni kanë qenë në pritje të mëngjeseve kur kanë me u zgjuar edhe kanë me i parë policët special duke bërë arrestime të pjesëtarëve të UÇK-së.”, tha Gashi, përcjell rtv21.tv

Ai shtoi se mënyra se si Gjykata speciale po i fton pjesëtarët e UÇK-së përmes ftesave është një test për shtetin e Kosovës.

“Kjo definitivisht është një test për krejt UÇK-në për krejt njerëzit që kanë me marrë ftesa të tilla, se në momentin prej kur bihet puna që këta njerëz me u çu dhunshëm atje atëherë këta njerëz dhe Kosova kanë me pasë një lloj fajësie publike në ata se çka është duke ndodhur.”, tha ndër tjerash Kreshnik Gashi.

Deri më tani janë bërë publike pesë ftesa nga Prokuroria Speciale për ish pjesëtarët e UÇK-së, Rrustem Mustafa, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Sami Lushtaku dhe Safet Syla.

Zyra e Prokurorit të Specializuar merret me hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin thuhet që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000./21Media

Back to top button