Pezullimi i Parlamentit britanik

Pezullimi i Parlamentit britanik

Vendimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të pezulluar punën e parlamentit, ishte veprim i paligjshëm. Kështu ka vendosur Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe.

Kryeministri e pezulloi punën e parlamentit për pesë javë në fillim të këtij muaji.

Por, Gjykata tha se është e paligjshme të ndalosh parlamentin të kryejë detyrat e tij, shkruan rtv21.tv

Kryetarja e Gjykatës, Brenda Hale tha se “efektet në themelet e demokracisë së vendit ishin ekstreme”.

Ajo tha se 11 gjyqtarët vendosën njëzëri se vendimi për pezullimin e parlamentit ishte i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt. Sipas saj, i takon kryesuesit të parlamentit të vendos për hapat e mëtejshëm.

Kryesuesi, John Bercow, përshëndeti vendimin dhe tha se parlamenti “duhet të mblidhet pa vonesë“, duke shtuar se ai tani do të konsultohej me liderët e partive.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, kuvendi britanik mblidhet të mërkurën, ka bërë të ditur Bercow.

Kam instruktuar autoritetet e parlamentit që të përgatiten pasi pezullimi ishte i paligjshëm, andaj të përgatiten për rikthimin e punës. Kam instruktuar që parlamenti të mblidhet nesër, dhe kjo të ndodhë në orën 11:30”, tha Bercow.

Kritikët kanë thënë se ky veprim i Johnson kishte për qëllim të kufizonte mbikëqyrjen e planeve të tij, lidhur me procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Johnson, i cili gjendet në New York për konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, deklaroi se do të respektojë vendimin e Gjykatës, mirëpo sërish theksoi se Britania do të dalë nga Bashkimi Evropian me datën 31 tetor.

Po sigurisht që ky është një vendim që ne do ta respektojmë, dhe ne respektojmë procesin e drejtësisë, megjithatë më duhet të mos pajtohem me të gjeturat e drejtësisë. Nuk besoj që është e drejtë. Por ne do të vazhdojmë dhe sigurisht parlamenti do të rikthehet. Por gjëja e rëndësishme është se të arrijmë Brexitin me 31 tetor”, theksoi Johnson.

Pas vendimit të Gjykatës, ligjvënësit britanikë kanë më shumë mundësi që të kundërshtojnë planet e Johnson për Brexit-in./21Media