30 ditë paraburgim për të dyshuarin

30 ditë paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën 30 ditëshe të paraburgimit Brahim Bajraktarit, i dyshuar se të mërkurën e kaluar, ka tentuar të hyjë i armatosur në zyrën e kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

Bajraktari dyshohet se pasditen e së mërkurës, me armë kishte shkuar në ndërtesën e komunës së Istogut, duke e kanosur Nazmi Bytyqin cili kishte tentuar ta ndalojë të dyshuarin që të mos hyjë në zyrën e kryetarit.

Sipas prokurorisë në Pejë, në momentin kur është penguar, i dyshuari kishte nxjerrë nga brezi revolen duke kundërshtuar që të largohet nga aty.

Ai po ashtu dyshohet se atë ditë rreth orës 14:37, te restoranti “Freskia” në Istog kishte shtënë me pistoletë pesë herë në ajër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga policia më vonë.

Haki Rugova, në një bisedë telefonike tri ditë më parë, tregoi rastin se si një i panjohur u fut i armatosur në zyrën e tij.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt mes nesh, personi i caktuar ka hyrë në zyre timen të kryetarit të komunës me armë në dorë. Ai nuk ka kërkuar kurrgjë, ka qenë në gjendje jo stabile dhe ka ardh me armë në dorë. Kur vjen një person me armë në dorë, çka kërkon? Kurrgjë tjetër pos me pas probleme, është mirë që ka përfunduar ajo qysh ka përfunduar, kjo është e gjitha”, tha Rugova për kallxo.com.

Ai shtoi se me personin e dyshuar nuk është takuar asnjëherë.

“Nuk e njoh personin e dyshuar, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me të. Duhet të trajtohet ky rast pasi që ka ndodh në zyret e kryetarit. Jam i lumtur që nuk ka ndodh kurrgjë ma shumë. Zyret i kam të hapura gjatë gjithë kohës, komuna është e qytetarëve, por njerëzit e armatosur që vijnë dhe sulmojnë personelin është e patolerueshme”, shtoi ai.