IKD rekomandon sistemin gjyqësor të angazhohet që lëndët civile

IKD rekomandon sistemin gjyqësor të angazhohet që lëndët civile

Gjykatat e Kosovës po vazhdojnë zvarritjen e lëndëve civile dhe nëse shkohet me këtë tempo ku për çdo gjashtë muaj, numri i lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti të ulet nga 166 lëndë, nënkupton se sistemit të drejtësisë do t’i duhet plotë 132 vite në zgjidhjen e lëndëve në çështjet civile. Kështu u tha sot nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me raportin e publikuar “Drejtësia civile në Kosovë, Ligji vs Praktika”.

Në vitin 2016, gjykatat themelore kanë zgjidhur gjithsej 17,544 lëndë civile, ky numër ka rënë për 633 lëndë në vitin 2017, dhe për 143 lëndë të tjera në vitin 2018.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se janë monitoruar rreth 2 mijë seanca, për çka janë evidentuar zvarritjet e lëndëve.

“Karakteristikë tjetër e këtij raporti është drejtësia selektive, nuk trajtohen njëjtë qytetarët e thjeshtë për dallim nga ata që vijnë nga politika. Qytetari i Kosovës për të realizuar një të drejtë duhet të pres ndoshta deri në 10 vjet për të marrë drejtësinë nga gjykatat tona. Karakteristikë tjetër kemi rastin “ping-pong”, ku gjykata e apelit kthen në rigjykim në Gjykatën Themelore. Ky raport gjen se gjykatësit e Kosovës kanë bërë praktikë që normën e lëndëve të trajtuara mos ta arrijnë asnjëherë”, tha Miftaraj.

Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala në këtë konferencë tha se ka pasur zvarritje të lëndëve të trajtuara.

“Në vitin 2018 nuk e kanë arritur normën përcaktuese gjyqtarët, nga 329 lëndë të njëjtit kanë kryer 182 lëndë, përkatësish 147 lëndë më pak. Ata nuk e kanë arritur normën as në gjashtë mujorun e parë të vitit 2019, gjyqtarët mesatarisht kanë kryer 105 lëndë. Nëse shkohet me këtë tempo, përkatësisht që çdo gjashtë mujor, numri i lëndëve të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti të ulet nga 166 lëndë nënkupton se sistemi i drejtësisë do t’i duhet plotë 132 vite në zgjidhjen e lëndëve në çështjet civile, që nënkupton diçka objektivisht të paarritshme”, tha Shala.

Gjykata Supreme, sipas tij, ka arritur një stabilitet me numër të lëndëve.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që nga kohëzgjatja e trajtimit të një rasti nga parashtesimi u padisë deri në aktgjykim përfundimtar, është 1734 ditë. Megjithatë Shala thotë se kanë gjetur zgjedhje selektive në trajtimin e lëndëve.

Në bazë të rekomandimeve të IKD-së, sistemi gjyqësor duhet të angazhohet maksimalisht që lëndët civile të kryhen brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Shqiponjë Gashi nga IKD tha se gjyqtarët duhet të ndalin praktikat e pezullimit të lëndëve pa bazë ligjore.

“KGJK të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse të divizioneve civile me lëndë në mënyrë që të ketë mundësi të ndërmarrë hapa për stabilizimin e këtyre divizioneve, veçanërisht sa i përket lëndëve të cilat barten vit pas viti”, tha Gashi.