Gjykatës së Prishtinës i ‘zhduket’ edhe Zanfina Ismaili

Zanfina nuk u paraqit në seancën ndaj Sekiraqës

Në Gjykimin e Enver Sekiraqës për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës ishte paraparë që të dëshmonte Zanfina Ismaili.

Në fillim të seancës gjyqtari Shashivar Hoti tha se Gjykata nuk ka arritur ta siguroj praninë e Zanfina Ismailit në Gjykatë.

“Ne e kemi planifikuar që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet edhe Zanfina Ismajli. Mirëpo, sipas raporteve policore në adresën të cilën e kemi këtu nuk është arrit të gjendet apo të kontaktojë policia me të. Mirëpo palët mund të pajtohen që deklaratat e saj mund të lexohen”, tha Gjyqtari Hoti.

Sikurse sot që nuk u sigurua prania e Zanfinës në Gjykatë, Gjykata nuk kishte arritur ta siguroj as praninë e Adelina Ismailit e as të motrës së vogël Ema Ismailit.

Arsyeja për mos sigurimin e tyre ishte vendbanimi, i cili nuk ishte i saktë dhe shkyçja e telefonit të Adelina Ismailit.

Enver Sekiraqa po përballet me akuzën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe për detyrim.

Për akuzën e nxitjes së vrasjes së policit, Sekiraqa ishte dënuar me 37 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Triumf Riza u vra në gushtin e vitit 2007 në lagjen ‘Santea’ në Prishtinë.

Lidhur me vrasjen e Triumf Rizës, Gjykata e kishte gjetur fajtorë Arben Berishën. Berisha u dënua me 35 vite burgim për ketë vrasje./kallxo.com

Back to top button