Gjysma e qytetarëve në Kosovë nuk ndihen të sigurt

Kritika ndaj institucioneve qendrore

Në Kosovë që nga paslufta vetëm gjatë një viti ndodhin mbi 15 mijë aksidente. Megjithatë, thuhet se gjatë vitit 2019 ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet, ndërsa ka pasur rritje të numrit të aksidenteve me dëme.

Kështu u tha në konferencën e organizuar me kryesuesit e Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi, ku nga këta të fundit të pranishëm ishin vetëm kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe ai i Mamushës, Abdulhadi Krasniq.

Për institucionet lokale pati edhe kritika nga OSBE, ku sipas tyre pavarësisht mbështetjes nuk ka pasur progres në siguri.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se është me rëndësi që sot po diskutojnë për dy tema, për sigurinë në trafik dhe për të riatdhesuarit nga Siria në Kosovë.

Mustafa ka theksuar se në prill të këtij viti, në Kosovë janë riatdhesuar 110 persona nga vatrat e Sirisë, ku prej tyre katër janë luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Ai ka diskutuar edhe për aksidentet e shumta në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas tij, është koha e fundit kur institucionet duhet të ndërmarrin diçka për minimizimin e aksidenteve.

Aksidentet e shumta në komunikacion dhe siguria në trafik janë shqetësuese për ne. Dhe është koha e fundit kur ne si institucione duhet të marrim dhe të minimizojmë këtë problem. Këto aksidente, të cilat në shumë raste po sjellin viktima në njerëz, jam i vetëdijshëm që përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet qendrore, një angazhim gjithëpërfshirës është i domosdoshëm me qëllim të marrjes së masave, për të zvogëluar numrin e aksidenteve. Duke pasur parasysh që siguria në trafikun rrugor është një problem global, po ashtu edhe institucionet e vendit dhe shoqërinë, në përgjithësi vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore. Duke analizuar numrin e aksidenteve të trafikut rrugor në Kosovë, gjatë periudhës 1 janar-nëntor 2019, numri i përgjithshëm i aksidenteve gjatë kësaj periudhe kohore është 14 mijë e 113, me fatalitet 99 persona të vdekur, me lëndime 5 mijë e 387, me dëme materiale 8 mijë e 640 ”, tha Mustafa.

Zëvendës ambasadori i OSBE-së, Kilian Wahl, tha se në bazë të hulumtimeve gjysma e qytetarëve në Kosovë nuk ndihen të sigurt.

Sipas një hulumtimi të UNDP-së më 2019, banorët më shumë ndihen të sigurt në zona rurale sesa urbane. Më është dukur shumë interesante  ta shikoja këtë statistikë për këtë ngjarje, sepse 53% në zonat rurale ndihen të sigurt, kurse në ato urbane 50%, dhe kjo nënkupton se gjysma e popullatës nuk ndihet e sigurt dhe kjo është një tregues i sigurisë dhe duhet ta marrim seriozisht në konsideratë, dhe të gjithë të bëjmë përpjekje që perceptimi  të përmirësohet”, ka thënë Wahl.

Ai pati kritika ndaj institucioneve qendrore, sipas të cilit pavarësisht mbështetjes së OSBE-së, nuk është shënuar progres.

Para më pak se një viti, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, i ka dhënë rekomandimet dhe pikat që duhet të përcillen sa i përket funksionalitetit dhe performancës të KSKB-ve. Por, më lejoni të jem më i drejtpërdrejtë dhe kritik, përkundër mbështetjes sonë të vazhdueshme, nuk është bërë edhe aq shumë nga institucionet e përfshira. Kur jemi përgatitur për këtë ngjarje kur i kemi parë pikat dhe masat e vitit të kaluar, duhet të identifikojmë në mënyrë kritike se për fat të keq ende vazhdojnë mangësitë e ngjashme. Korniza ligjore ende nuk është hetuar si duhet, ka mungesë të buxhetimit për KSBK-të, për projektet që kanë të bëjnë me sigurinë, gjë e cila e pengoj progresin”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi tha se gjatë vitit 2019 në Prishtinë kanë vdekur 10 persona si pasojë e aksidenteve.

Sipas tij, gjatë këtij viti aksidentet me dëme kanë shkaktuar ngritje, ndërsa ato me viktima janë në rënie.

Në përgjithësi, në vendin tonë ndodhin 15 mijë e 574 aksidente në vit. Sa i përket aksidenteve me fatalitet mesatarisht në vendin tonë ndodhin 122 aksidente brenda vitit. Ndërsa, mesatarisht janë 142  që humbin jetën. Mesatarisht në Kosovë ndodhin 4122 raste të aksidenteve me lëndime, apo mesatarisht lëndohen 7425 persona brenda një viti… Janar-nëntor 2019 krahasuar me vitin 2018 kemi shtatë persona më pak të vdekur apo 6,36 për qind, kemi 147 aksidente lëndime më pak, 624 persona më pak të lënduar apo 5,5 për qind. Kemi 298 aksidente më shumë me dëme. Në këtë rast ka bërë rritjen e përqindjes me 157 aksidente raste apo 1,09 për qind”, deklaroi Rexhepi.

Fejzullah Mustafa nga Ministria e Infrastrukturës, konsideroi për rritjen e sigurisë rrugore duhet të parashihet buxhet më i madh, për çka tha se kanë mungesë.

Mustafa mes tjerash tha se mosha më e rrezikuar për aksidente në trafik është ajo mbi 18-vjeç.

Back to top button