Deri më tani KGJK nuk ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike

Deri më tani KGJK nuk ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS dhe Drejtësia Sot kanë njoftuar se ka paraqitur padi ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vërtetimin e shkeljes së Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nga KGJK, në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën e Apelit.

KGJK deri më tani nuk ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike të parashtruar nga GLPS dhe Drejtësia Sot duke tejkaluar të gjitha afatet e dhëna sipas ligjit.

Në të njëjtën kohë, GLPS dhe Drejtësia Sot ritheksuan që KGJK nuk mund të shfrytëzojë arbitraritetin si mjet për të shuar zërat që kërkojnë përgjigje mbi këtë proces të rëndësishëm, siç nuk mund të fshehë që preferencat personale janë ato të cilat kanë përcaktuar që ky proces të jetë i mbyllur, dhe jo ligjet në fuqi.

GLPS dhe Drejtësia Sot i rikujton KGJK-së që më datën 11 korrik 2019 kanë parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike lidhur me përzgjedhjen e gjyqtarëve të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën e Apelit, proces ky i cili ka filluar në muajin prill 2019. Më saktësisht, GLPS dhe Drejtësia Sot ka kërkuar qasje në informacionet në vijim:

 -Vendimin e KGjK-së për mbyllje të procesit për monitorim nga organizatat e shoqërisë civile, dhe arsyetimin e saj për një mbyllje të tillë;

– Listën e të gjithë gjyqtarëve të cilët kanë kandiduar për pozitat e hapura për Departamentin Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit;

-Listën e anëtarëve të Komisionit Vlerësues;

– Metodologjinë e  vlerësimit, në kuptim të detyrimeve ligjore dhe akteve të vet KGjK-së, ku përfshihet: mënyra si është bërë vlerësimi i performancës paraprake të kandidatit, mënyra si është ushtruar matja e kredibilitetit të kandidatit, mënyra si është vlerësuar matja e integritetit të kandidatit, mënyrën e përcaktimit të aftësisë profesionale dhe pastërtisë së figurës së kandidatëve, dhe formulën mbi të cilën janë llogaritur pjesëmarrja e secilit kriter në pikësimin final të çdo kandidati;

– Bazën ligjore ku është bazuar një formulë e tillë e matjes;

-Pikësimin për çdo element të formulës së vlerësimit të secilit kandidat, me pikët e ndara nëpër secilën fazë;

-Çdo informacion tjetër që, në vlerësimin e KGJK-së, dhe në kuptim të detyrimeve ligjore, ka qenë relevant për të marrë vendimin që KGjK ka ndërmarrë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Drejtësia Sot është një iniciativë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, dhe përkrahet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës së saj në Prishtinë./21Media