GLPS: Vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve, i paligjshëm

Kërkohet revokim i vendimit për rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka analizuar vendimin e BQK-së për rritjen e tarifave të sigurimit për automjete, të cilin, sipas BQK-së, e ka ndërmarrë në procesin e rishikimit të primit të rrezikut për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia.

GLPS vlerëson që vendimi i BQK-së përbën një ndërmarrje të nxituar, të pabazuar në konsultim të gjerë përfshirë edhe komunitetin e konsumatorëve, dhe në kohë të një tranzicioni institucional në të cilin BQK-ja mbetet e pakontrolluar nga Kuvendi sipas përcaktimit të normës kushtetuese.

“Megjithëse Ligji për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia (neni 8), dhe norma kushtetuese, i njohin në eksplicit BQK-së autorizimin për të përcaktuar kufirin maksimal të primit dhe çmimin sigurues të tij, një gjë e tillë duhet siguruar që është në përputhje me ruajtjen e stabilitetin makro-fiskal dhe social të tregut. Në rastin aktual, BQK-ja ka rritur tarifat e sigurimit të auto-përgjegjësisë në një përmasë galopante, duke u arsyetuar që ajo pasqyron normën e inflacionit 18-vjecar të tregut në Kosovë. Ne vlerësojmë që një arsyetim i tillë për një rritje të tillë galopante nuk mund të jetë i qëndrueshëm, dhe atë për disa arsye”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.

Sipas tyre, arsye e parë është se ky vendim është ndërmarrë në një kohë kur Kuvendi, si organ që sipas kushtetutës mbikëqyr BQK-në është i pakonstituuar dhe rrjedhimisht jo-fuksional.

“BQK nuk do të mund ta merrte një vendim me një impakt të tillë social dhe destabilizues në tregun e sigurimeve pa u pas konsultuar në mënyrë shteruese me komisionin gjegjës parlamentar, dhe Kuvendin e Kosovës në përgjithësi. Kuvendi dhe komisionet e tij parlamentare mbrojnë interesin publik në mënyrën më të besueshme, prandaj edhe kushtetuta dhe ligji parashikojnë mbikëqyrjen e BQK-së nga Kuvendi dhe komisionet e tij. Marrja e një vendimi të tillë në këtë terr institucional është abuzuese dhe e papranueshme”, vijon komunikata.

Arsye e dytë për GLPS-në është se rritja e tarifave të sigurimit të auto-përgjegjësisë duke reflektuar kinse inflacionin 18-vjeçar është e papranueshme të bëhet përmes një vendimi të vetëm.

“Kur ligji saktëson që BQK-ja bart kompetencën për të përcaktuar strukturën e primit dhe çmimin e tarifave siguruese sipas ligjeve në fuqi, ajo i referohet jo vetëm interesit të siguruesit por edhe të komunitetit konsumator, përkatësisht polic-mbajtësve. Rrjedhimisht, BQK-ja nuk mund të ndërmerrte pas 18 viteve një rishikim të primit bazuar thjeshtë dhe vetëm në thirrje që janë reflektim i interesave të kompanive siguruese, duke anashkaluar kështu një analizë mbi impaktin social e konsumues të kësaj mase të nxituar ndaj polic-mbajtësve. Për më tepër, BQK, si një rregullator i pavarur i tregut financiar, nuk mund të imponojë masa që kanë efekt galopant në anën konsumuese të tregut, por me përgjegjësi të adresojë masa që gradualisht – nëse nevojat janë të arsyetura – e reflektojnë ngritjen. Çdo sjellje tjetër ndaj kësaj e vë në dyshim pavarësinë e saj politik-bërëse dhe ruajtjen e diligjencës që ajo duhet t ë tregoj ndaj palëve private në treg”, thuhet ndër të tjera.

Po ashtu, GLPS thotë se rritja e tarifave të sigurimit të auto-përgjegjësisë për polic-mbajtësit e grupit tarifor 1 nuk mund të jetë hapi i parë në zinxhirin e hapave për të ashtuquajturin stabilizim të tregut të sigurimeve, për shkakun që BQK njëherë duhet të ushtrojë një vlerësim rrënjësor të potencialit të shpërlarjes së parave të sektorit të sigurimit, rregullsisë së tyre në raport me zhdëmtimin e palëve, likuiditetit të tyre financiar dhe diligjencës së tyre në tregun financiar, dhe vetëm pasi të jenë stabilizuar tërë parametrat më thelbësor të tregut, të ndërmerret rishikimi i tarifave.

Prandaj, GLPS kërkon nga BQK që të revokojë vendimin e saj për rritjen e tarifave të sigurimit të auto-përgjegjësisë deri në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dhe vetëm pasi të konsultojë në një dëgjim publik komisionin gjegjës parlamentar, Ministrinë e Financave, komunitetin e konsumatorëve, dhe të bëj publik rezultatet e rishikimit mbi parametra jo vetëm financiar por edhe të impaktit social, të vendos për këtë çështje.

Back to top button