Çmenduri në “San Mames” në ndeshjen mes Athletic Bilbaos dhe Barcelonës

Çmenduri në “San Mames” në ndeshjen mes Athletic Bilbaos dhe Barcelonës

Vetëm pak javë më parë, Aduriz njoftoi se do të tërhiqej nga futbolli i luajtur në fund të këtij sezoni. Ndërsa, sonte hyri në lojë në minutën e 88-të dhe me prekjen e parë të topit shënoi një supergol që rezultoi i fitores për Bilbaon.

Kështu, ekipi i Ernesto Valverde e nis me humbje kampionatin e ri, por ajo çfarë ishte më shqetësuese ishte forma e ekipit, që dukej larg nga ajo e vitit të kaluar, kur u shpallën kampion.

Pa Leo Messin, nga minuta e parë e nisën ndeshjen blerjet e reja, Griezmann dhe De Jong, të cilët ishin larg pritshmërive, duke bërë ndeshje të dobët.

Idetë e Bilboas ishin të qarta që në fillim të ndeshjes, që krijuan raste shënimi, por falë Ter Stegen rrjeta e Barçës mbeti e paprekur.

Në minutën e 37, Luis Suarez goditi shtyllën që shënoi rastin e parë serioz për katalanasit, por lajm i keq erdhi menjëherë me uruguaianin që lëshoi fushën për shkak të një lëndimi.

Rafinha, që zuri vendin e Suarez, tentoi me një gjuajtje nga distanca, por portieri i Bilbaos arriti ta grushtojë, duke bërë që topi të përplaset në shtyllë. Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0.

Në pjesën e dytë, Bilbao tentoi që me kundërsulme të befasonte Barçën, derisa ia arriti një gjë të tillë në minutën e 89-të, kur sulmuesi veteran Aritz Aduriz shënoi një gol spektakolar pas një krosimi nga krahu.