Jankullovska e ka keqpërdorur pozitën me vetëdije të plotë

Jankullovska e ka keqpërdorur pozitën me vetëdije të plotë

Ish ministrja për punë të brendshme në Maqedoni Gordana Jankulovska, sot u dënua me gjashtë vite burg nga ana e gjykatës për rastin “Tanku”, për blerje të Mercedesit të blinduar në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska e shpalli fajtore dhe e arsyetoi vendimin me atë se Jankullovska e ka keqpërdorur pozitën me vetëdije të plotë edhe pse e ka ditur çmimin e Mercedesit, dhe se ka favorizuar një operator të caktuar ekonomik, gjithë këtë vetëm për t’ia plotësuar dëshirën Nikolla Gruevskit.

Ky është gjykimi i parë për Jankulovskan, e cila është e akuzuar edhe në 2 raste të tjera të PPS, dhe atë në rastin “Titanik”, për parregullsi zgjedhore dhe në rastin “Target – Fortesa”, për shkatërrimin e dy sistemeve për përgjim në MPB. Para disa ditësh, SPB Kumanovë ngriti akuzë penale kundër Jankullovskas për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të punësimit joligjor të një funksionari të lartë në MPB.

Në rastin Tank janë gjykuar edhe Nikolla Gryevski dhe ish ndihmës ministër në MPB, Gjoko Popovski. Ata po presin vendimin e në Gjykatën e Apelit pas ankesës së tyre të paraqitur. Avokatët e Jankulloska Sanja Aleksic dhe Boro Tasevski kontestuan vërtetësinë e pamjeve, gjithashtu për ta ishte e kontestueshme edhe ekspertiza e kryer. Ata kërkuan që të merret në konsideratë amësia e të akuzuarës./TV21