“Gostivari i gjunjëzuar!” Në mbledhje komemorative, u jepet lamtumira viktimave

Janë shpallur 3 ditë zie

Komuna e Gostivarit me 1 minutë heshtje filloi mbledhjen komemorative në nderë të 14 viktimave të cilët humbën jetën në aksidentin e djeshëm.

Në këtë seancë Këshilli Komunal i Gostivarit shpalli 3 ditë zie për qytetin.

Dhimbja është e fuqishme dhe është e pranishme tek të gjithë ne – tha kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari.

“Vdekja në një orë të vetme mori 14 persona prej nesh, 14 jetë njerëzish, 14 histori të ndërprera në pasditen e zymtë të 13 shkurtit 2019. Udhëtonin për në shtëpitë e tyre, po ktheheshin për në Gostivar, por nuk paska qenë e shkruar që kjo ditë të ishte një ditë tjetër e jetës së tyre”, u shpreh Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Zoran Zaev i pranishëm në seancën komemroative në Gostivar tha se ai personalisht do të angazhohet për t’ju dalë në ndihmë familjeve të prekura nga kjo tragjedi dhe ua bëri me dije se nuk janë vetë në këto ditë të vështira.

Edhe Presidenti i Shtetit Gjorgje Ivanov qëndroi sot afër qytetarëve të Gostivarit për ta ndarë dhimbjen me ta.

“Këto janë ditë pikëllimi dhe trishtimi për jetët e humbura. Të vështira janë ditët kur shprehim ngushëllime familjarëve, miqve, sepse aksidentet janë ngjarje të cilat na vjedhin njerëzit që janë më të rëndësishëm për ne”, theksoi Gjorgje Ivanov – President i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas seancës protokollare të pranishmit në sallë lanë shënimet e tyre në librin e zisë.

Jashtë godinës së Komunës ishin mbledhur një numër i madh qytetarësh për t’u dhënë lamtumirën e fundit viktimave të aksidentit./TV21

Back to top button