Grabitet me armë mesfushori i Atletico Madrid

Koke ka qenë shënjestër e një krimineli të armatosur në Madrid

Mesfushori i Atletico Madridit, Koke, është plaçkitur me armë të enjten në mbrëmje në kryeqytetin spanjoll.

Ngjarja ka ndodhur në një parking në zonën Chamberi, teksa 25-vjeçari ishte duke e parkuar veturën e tij dhe grabitësi ka arritur t’ia marrë orën e dorës duke e kërcënuar me armë zjarri.

Policia e Madridit dyshon se mesfushori është përcjellur nga grabitësi dhe në momentin që ka hapur dritaren për të marrë biletën e parkingut, ai është afruar dhe ia ka drejtuar armën drejt kokës, duke bërtitur ‘më jep orën’ dhe me ta marrë atë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Rasti në fjalë është duke u hetuar nga policia që përmes kamerave është duke provuar ta identifikojë grabitësin.

Ky incident ka ndodhur vetëm 48 orë para derbit të Madridit, ku Atletico do të ballafaqohet me Realin./21Media

Back to top button